E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: EULEX-i nuk është neutral

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka reaguar ndaj vendimit të Eulex-it për arrestin shtëpiakë të ish komandantëve të Zonës së Drenicës. Krasniqi tha se me këto veprime misioni evropian është duke treguar që nuk është neutral. Në anën tjetër sipas tij, këto veprime sikur donë të thonë se fajtorë për luftën në Kosovë janë shqiptarët.

“Nuk janë treguar agresorë shqiptarët në Shumadi, por serbët në Kosovë”, tha Krasniqi.

Këto komente, kryeparlamentari Krasniqi, i ka bërë pas mbledhjes se kryesisë së Kuvendit.

Kreu i legjislacioni ka reaguar edhe ndaj vendimit të Qeverisë që Planin e implementimit të marrëveshjes e ka dërguar në Bruksel, para se ta dërgojë në Kuvend.

“Çdo marrëveshje e cila ka karakter ndërkombëtarë duhet të vijë në Kuvendë. Ne nuk e kemi atë marrëveshje. Rezoluta e miratuar në Kuvend duhet të respektohet”.

Nga ana tjetër, Shefi i Grupit Parlamentarë të PDK-së, Adem Grabovci, i cili para pak muajsh kërkonte rishikim të mandatit të Eulexi-it në Kosovë, kur në opinion kishin dalë përgjimet telefonike, e ku ishte i përfshirë edhe vetë, ai tash po thotë se drejtësia do të triumfojë për “Grupin e Drenicës”.

“Është absurde të thuhet se në Kosovë ka papsur krime lufte. Ne kemi besim në drejtësinë, dhe ajo le ta thonë fjalën e vetë. Ne kemi fituar edhe në Hagë”, tha Grabovci.

Ai nuk ka dashur të flasë rreth asaj se a është dashur që Qeveria ta dërgojë në Kuvend Planin e implementimit të marrëveshjes. Lidhur më këtë problem, Grabovci ka folur për të gjitha proceset dhe marrëveshjeve nëpër të cilat ka kaluar Kosova deri të arritja e marrëveshjes së fundit.

“Qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim në institucionet e vendit. Proceset neper të cilat ka kaluar Kosova nuk kanë qenë të lehta, por ne ia kemi dalë të tejkalojmë të gjitha sfidat”, tha Grabovci.

Shefi Grupit Parlamentarë të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kujtuar edhe të gjitha anashkalimet që Qeveria po i bënë Kuvendit me marrëveshjet e arritura.

“Qeveria vetëm po e njofton Kuvendin me marrëveshjet që kanë të bëjnë me fatin e qytetarëve, në anën tjetër po anashkalohet legjislativi për të shqyrtuar ato marrëveshje”, tha Konjufca.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e radhës do të zhvillohet të ënjtën. Kurse të premten Kuvendi do të mbajë debat parlamentar lidhur me të drejtat elementare të shqiptarwve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, sipas kërkesës së deputetit të LDK-së, Lutfi Haziri./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›