E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasi me dy komuna

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pas një takimi që kishte me përfaqësues të fshatrave të rajonit të Hasit, mori vendim për formimin e dy komunave në rajonin e Hasit. Me vendimin e Qeverisë së vendit, rajoni i Hasit do ta ketë Komunën e Rugovës me seli në Rugovë dhe Komunën e Gjonajve me seli në fshatin Gjonaj, thuhet në faqen zyrtare të internetit të ekzekutivit kosovar.

Shefi i qeverisë, duke respektuar kontributin e madh të njerëzve të Hasit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka thënë se tema e formimit të komunës së Hasit nuk ka lindur para një muaji, por ka qenë ide e vetë banorëve të kësaj zone.

“Ideja për formimin e komunës së re, nuk është kritikë ndaj askujt, ndaj asnjë qeverie, ndaj asnjë partie, por është në interesin e qytetarëve pa dallim partiak, pa dallim territorial. Hasi është një gjeografi e madhe. Unë kam dëgjuar me vëmendje të gjitha diskutimet që i keni pasur me zëvendëskryeministrin dhe zëvendësministrin. Për këtë arsye, kam pasur dëshirë që t’iu takoj juve dhe bashkërisht të marrim një vendim, se si të procedohet në Kuvend të Kosovës, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndryshimet në Ligjin për Kufijtë Administrativ” ka theksuar kryeministri Thaçi.

Pas shumë diskutimeve, Kryeministri Thaçi ka prezantuar që të themelohen dy komuna të veçanta dhe ajo është përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit e fshatrave të rajonit të Hasit.

Menjëherë pas takimit, këtë vendim kryeministri Thaçi e ka bërë të ditur në një konferencë për media, ku është paraqitur i shoqëruar nga përfaqësuesit e hasjanëve nga komuna e Prizrenit dhe ajo e Gjakovës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›