E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: I kemi hy në 'hak' 28 Nëntorit

Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, tha se me Ligjin për festat zyrtare i është hyrë në hak 28 Nëntorit.

“Sido që të trajtohet kjo, në ndonjë Ligj që është përpunuar shpejt e shpejt, 28 Nëntori mbetet festë me domethënie të veçantë në historinë e kombit”, tha Krasniqi në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën. Sipas tij, pa marr parasysh se çfarë shkruan Ligji, shqiptarët duhet të jenë ata që 28 Nëntorin ta trajtojnë si festën më të madhe kombëtare.

Radio Kosova: Edhe një 28 Nëntor për shqiptarët. Si e përjeton Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe çfarë përfaqëson për zotin Jakup Krasniqi 28 Nëntori?

Jakup Krasniqi: 28 Nëntori për mua, si individ, ka një rëndësi të madhe. Mirëpo, konsideroj që 28 Nëntori, ose ashtu siç ne themi shpesh-festat e Nëntorit, për shkak të grumbullimit të ngjarjeve të shumta të historisë sonë, festën e Nëntorit e bëjnë kryefestë të shqiptarëve: një kryefestë që shqiptarëve gjithherë u ka dhuruar gjëra të mira, gjëra që u kanë munguar pa të drejtë. Kjo, natyrisht, historinë e ka mjaft të lashtë por edhe të lavdishme, që nga Nëntori i kthimit triumfalisht në Krujë të Skënderbeut. Është filluar me një fitore të madhe dhe pastaj gjithnjë është kthyer në fitore: fitorja e 28 Nëntorit e vitit 1912 – shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe, me të drejtë quhet edhe Dita e Flamurit, sepse për herë të dytë shqiptarëve po u ndryshonte pozicionin e jetës: nga jeta në robëri - në jetën në liri, ndonëse edhe kur vinte liria, ajo vinte me vështirësitë e saja, për shkak të synimeve të huaja në drejtim të tokave shqiptare dhe pasurisë së tyre. Pasuritë që i kishte toka shqiptare kishin qenë gjithnjë burim i pasurisë, e cila tërhiqte interesat e fuqive të mëdha për ta robëruar popullin shqiptar. Por nëntori gjithnjë i sjell risi popullit shqiptar. Në fund të fundit, ishte nëntor i vitit 1944 ai që i solli liri pjesës më të madhe të shqiptarëve, ndonëse pritej që do t’i sillte liri të gjithë shqiptarëve, solli liri për gjysmën e shqiptarëve. Përsëri gjysma e shqiptarëve mbetej në rrethana të vështira të jetës, nën sundimin e të huajve. Edhe koha jonë i ka festat dhe fitoret e nëntorit. Ne e dimë se më 28 Nëntor, edhe pse po varrosej një njeri, që ishte vrarë nga ushtria dhe policia serbe, ishte një fitore e UÇK-së në raport me atë polici. Një tjetër e veçantë është ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, e njeriut që formoi një instrument dhe institucion të lirisë, siç ishte UÇK-ja, ishte më 28 Nëntor dhe kjo ditëlindje ishte një paralajmërim se ajo lindje do t’i sjell fitore popullit shqiptar. Këtë fitore, Komandanti Legjendar nuk e ka përjetuar, por është një rast unikat në histori, që flijimi i këtij komandanti e masivizoi popullin shqiptar dhe e mobilizoi popullin për liri. Ky është rast unikat në historinë tonë. Prandaj, kur i marrim të gjitha këto ngjarje së bashku, nuk është vështirë të vishë tek përfundimi se shqiptarët në historinë e tyre shumëshekullore nuk kanë festë më të lavdishme dhe më kombëtare; nuk kanë ngjarje më të rëndësishme, e cila është një strumbullar kryesor që i bashkon shqiptarët kudo që janë. Çdo shqiptar e ka për nder dhe për obligim që në këtë ditë të ndjehet krenar dhe këtë krenari ta manifestojë me një respekt të veçantë.

Radio Kosova: Dhe, përtej ndjenjës së krenarisë, sa konsideroni se jemi të përafruar në këtë 28 Nëntor, qoftë politikisht, qoftë ekonomikisht, e mbi të gjitha, si qytetarë, si shqiptarë?

Jakup Krasniqi: Shikoni, festat, pa marr parasysh cila është gjendja, edhe politike edhe ekonomike, qofshin me karakter kombëtar, qofshin të karakterit fetar, qofshin të karakterit ndërkombëtar, njerëzit i bëjnë të ndjehen krenarë, të ndjehen të qeshur, të gëzuar dhe e ndjejnë obligim, më shumë se çdo herë tjetër, për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Realisht, kjo është ajo që e ofrojnë festat. Po, cila është gjendja, edhe në aspektin politik edhe atë ekonomik? Në aspektin politik mund të themi se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë në pozita më të avancuara se sa janë tani.

Ndonëse shumë shqiptarë kanë mbetur në rrethana dhe kushte të vështira, por shtimi i hapësirës së lirë shqiptare me rreth njëmbëdhjetë mijë kilometra katrorë në qershorin e vitit 1999, sigurisht që ka qenë një nga fitoret më të mëdha që ka mundur të arrijë populli shqiptar, në fund të shekullit të kaluar.

Radio Kosova: Zoti Krasniqi, edhe ky 28 Nëntor i gjen shqiptarët me diskutime tejet të rëndësishme, sidomos politike. Edhe pse nuk është temë e diskutimeve zyrtare, prapëseprapë flitet për çështjen e kufijve, përmenden opsione të ndarjeve, shkëmbimit të territoreve etj. Si kryeparlamentar i shtetit të Kosovës, sa konsideroni se elitat politike dhe udhëheqësitë në Prishtinë dhe në Tiranë, janë të përgatitura për t’u përballur me ide, apo platforma për opsione të tilla?

Jakup Krasniqi: Kjo është një pyetje që realisht nuk mund të gjej një përgjigje edhe aq të lehtë, por ajo që dua të them është se shqiptarët, në përgjithësi, në hapësirat e tyre të Ballkanit, kurrë nuk kanë qenë në pozita më të favorshme sa që janë sot. Jo vetëm fitoret në shkallë kombëtare, por edhe fitoret që kanë ndodhur në kontinentin tonë, vërtet kanë krijuar perspektiva të reja edhe për shqiptarët edhe për të tjerët në rajon. Ne duhet të vlerësojmë që para pak ditësh bëmë përurimin e një pjese të autostradës, në pjesën e Kosovës, kurse ajo në Shqipëri ka përfunduar. Kështu është bërë një lidhje fizike që ndoshta brezi im nuk ka mundur ta mendojë para dhjetë, njëzetë apo më shumë vitesh. Tani e shohim të realizuar. Shohim të realizuar përpjekjet që shqiptarët, edhe në lëmin e shkollimit, kulturës, ekonomisë të krijojnë lidhje të reja. Në të gjitha këto fusha që përmenda ka mundësi që të ketë përparime edhe më të mëdha dhe në këtë rrafsh konsideroj se kanë kontribuuar edhe përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë edhe të Kosovës. Sigurisht, nëse shkojmë në ekstremin tjetër-se sa kemi bashkëpunim për t’i hequr këta kufij edhe në kuptimin formal, ndoshta nuk shihet një përgatitje, por të gjitha përgatitjet tjera çojnë andej nga shqiptarët nuk do t’i kenë më pengesat që i kanë pasur në trupin e tyre dhe që janë vendosur disa kufij. Ato pengesa, edhe nëse diku ka kufij të tillë, ata nuk e kanë më atë vrazhdësinë që e kanë pasur para dymbëdhjetë e më shumë viteve. Gjithçka që zhvillohet në hapësirën shqiptare sot në rajonin tonë, realisht jep shumë shpresa për perspektiva, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe për të gjithë qytetarët e Ballkanit.

Radio Kosova: Kur flasim për kufijtë, atëherë dua të theksoj-jo thjeshtë çështjet që lidhen me kufijtë brenda shqiptarëve, por me të tjerët në rajon. A mendoni se është e përfunduar kjo çështje?

Jakup Krasniqi: Për çështje të tilla nuk kemi të drejt të themi se janë të përfunduara. Ndoshta edhe para dhjetë-pesëmbëdhjetë viteve shumë njerëz kanë menduar se ata kufij që kanë qenë më herët, kanë qenë të përfunduar, d.m.th., kanë qenë të përfunduar për një brez, por nuk mund të jenë të përfunduar për brezat që vijnë. Unë konsideroj që brezi ynë ka arritur shumë, por gjërave ne nuk mund t’u vëmë pikë, nuk mund t’i kufizojmë, sepse në fund të fundit, çdo brez, çdo gjeneratë i ka kërkesat e veta, i ka aspiratat e veta dhe ne mund të flasim vetëm për kërkesat dhe aspiratat tona. Ne kemi realizuar shumëçka, ndonëse jo gjithçka nga ato aspirata që i kemi pasur, por konsideroj se kemi hapur perspektiva të reja edhe për gjeneratat e reja. Në fund të fundit, çështja e kufijve, në rast se realizohen idetë e vlerave evropiane për integrimet, jo vetëm brenda për brenda kombit, por edhe për integrimet në mes të kombeve, atëherë mund të themi se kufijtë gjeografikë nuk do ta kenë kuptimin që kanë pasur më herët në këto hapësira. Kufijtë do të kenë një kuptim tjetër, por nuk do të mund të bëhet fjalë më për asimilimin dhe ngufatjen e të drejtave dhe lirive të kombeve apo pakicave të ndryshme kombëtare.

Radio Kosova: Element shumë i rëndësishëm në procesin e integrimeve është legjislacioni përkatës. Sa vlerësoni se institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë janë duke e ndihmuar dhe lehtësuar procesin e integrimit në lëmin legjislativ?

Jakup Krasniqi: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës kanë bashkëpunim shumë të mirë, jo vetëm në nivelin e lartë, por kemi bashkëpunim që është shtrirë në gjithë nivelin politik dhe administrativ. Nuk mund të jemi krejt të kënaqur me këtë që e kemi arritur, por realisht jemi duke punuar në harmonizimin dhe unifikimin e termeve të ndryshme juridike. Unë besoj se së shpejti do të arrijmë një marrëveshje të mirëkuptimit për t’i harmonizuar të gjitha çështjet që duhet të harmonizohen.

Radio Kosova: Me Ligjin për festat zyrtare në Kosovë, 28 Nëntori është festë memoriale dhe për këtë ka shumë kritika. Madje, ka kritika edhe nga forca politike të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës. Cila është përgjigja juaj për vërejtjet apo kritikat që nuk janë të pakta për këtë çështje?

Jakup Krasniqi: Është e vërtetë e madhe që ka vërejtje dhe askush ndoshta nuk e ndjen veten mirë. Në fillim fola për rëndësinë e festës së Nëntorit. Realisht, kur ne e kemi bërë Ligjin, jemi përpjekur që t’i bëjmë disa festa të veçanta si shtet, por si komb konsideroj që i kemi hyrë në “hak” 28 Nëntorit. Festa e 28 Nëntorit nuk është një festë thjeshtë shtetërore, as një festë thjeshtë kombëtare, por është një festë me elemente të shumta shpirtërore, që është përsëritur dhe është përsëritur, dhe është një festë që vërtet popullit shqiptar, gjithnjë i ka dhënë të mira, i ka dhënë liri dhe i ka dhënë krenari. Unë konsideroj se shqiptarët, pa marr parasysh se çfarë shkruan Ligji, duhet të jenë ata që festën e Nëntorit ta trajtojnë si festën e tyre më të madhe kombëtare dhe si festë që nuk mund të zëvendësohet me asnjë festë tjetër. Ky është mendimi im, edhe si individ, si njeri që kemi gjetur frymëzimin tonë për t’u angazhuar për liri mu nga porosia e përsëritur e festave të Nëntorit. Për mua dhe besoj për shumicën e shqiptarëve, sido që të trajtohet kjo, në ndonjë ligj që është përpunuar shpejt e shpejt, kjo mbetet një festë me domethënie të veçantë në historinë e kombit tonë.

Radio Kosova: Dhe për fund, një urim i juaji, mbase në formën e mesazhit për 28 Nëntor?

Jakup Krasniqi: Natyrisht, sa herë që vjen muaji nëntor njeriu nuk mund të mos i kthehet historisë dhe në këtë histori gjithnjë të shoh fitore, të shoh dhuratat që i ka marr nga angazhimi i brezave. Urimi shkon për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, që vërtet ata të jenë me të kaluarën, të sotmen dhe të angazhohen me krenari për të ardhmen e këtij populli dhe këtij vendi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›