Thaçi: Ideja e Karl Bildt, e tejkaluar dhe e papranuar

Ai këto komente i bëri të shtunën pas takimit me kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama, ku kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme.
Thaçi tha se tashmë Kosovë është një shtet i pavarur dhe nuk ka nevojë për dialogim me Serbinë për statusin politik të Kosovës, sepse kjo çështjeje është e zgjidhur.
“Pavarësia e Kosovës është shpallur në koordinim me bashkimin Evropian dhe SHBA-të, tani Kosova është konsoliduar dhe po forcohet si shtet, edhe Suedia ka qenë pjesë e atyre deklaratave për statusin politik dhe ka njohur Kosovën si të pavarur dhe sovrane dhe kjo është një ide e tejkaluar, plotësisht e papranueshme për Kosovën dhe e pa realizueshme”, ka thënë Thaçi.
Ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, ka thënë se veriu i Kosovës do të hidhet për diskutim në dy tryeza politike, njëra është tavolina e dialogut me ndërmjetësim të Robert Kuperit, në Bruksel, dhe tjetra është tavolina e dialogut të strukturuar të BE-së me Kosovën.
Ai ka kërkuar që dialogu në Bruksel të modifikohet për të adresuar veriun e Kosovës “përtej çështjeve të ngushta teknike”.
Nga ana e tij, kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se në opozita dhe pozita në Shqipëri janë unike sa i përket rrugëtimit të Kosovës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
“Ne jemi të gjithë të një zëshme dhe nuk ka asnjë dallim mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri lidhur me atë që i takon asaj rruga e Kosovës drejt integrimit evropian dhe rruga e përbashkët drejt një kombi shqiptar të integruar në familjen evropiane”, ka thënë Rama.
Kryeministri Thaçi theksoi se në takimin me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy shteteve në fusha të ndryshme në interes për të dyja vendet.
“Ne biseduam për bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe një kontribut është duke luajtur edhe opozita. Ne biseduam për bashkëpunimin tonë në të gjitha sferat ndër shtetërorë në mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Shqipërisë, edhe për ato ekonomike, diplomatike, planifikimet për arsimin, në aspektin kulturor. Gjithashtu, kjo vizitë është edhe në prag të festave të nëntorit, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, flamurit kombëtar dhe për këtë uruam njëri-tjetrin”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thënë se ka kënaqësinë dhe privilegjin që festën e 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit Kombëtar ta kalojë në Republikën e Kosovës.
“Folëm për procesin e integrimit që shpresojmë të hapet dhe të ecë më shumë shpejtësi për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Pata kënaqësinë që t’i dhuroj kryeministrit edhe një kopje të programit tonë të ri, programit të PS-së dhe të opozitës shqiptare. Është një ide e rëndësishme që po zhvillojmë në aspektin e arsimit si ajo e një sistemi të unifikuar arsimor të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe t’u krijojmë mundësi të gjithë fëmijëve dhe të rinjve që të arsimohen dhe të edukohen brenda të njëjtit sistem”, ka thënë Rama.
Ndryshe, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka nisur sot vizitë treditore në Kosovë, gjatë së cilës do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasiniqi, si dhe do të marrë pjesë në përurimin e librit të tij “Kurban”.