E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haziri insiston në rishikimin e kufijve

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, vazhdon të proklamojë idetë e tij për nisjen e rishikimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai beson se komunat, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, padrejtësisht janë brenda kufijve aktualë të Serbisë, përderisa njësoj mendon edhe për komunën e veriut të Kosovës, si Leposaviqi dhe disa fshatra të Zubin Potokut, të cilat thotë se mund t’i bashkoheshin Serbisë.

Këto komente deputeti i LDK-së i ka bërë gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë ku ka thënë se propozimi i tij është për rishikim në parim të kufijve, “nga ajo që është thënë dhe vendosur, dhe është shpallur pavarësia e Kosovës, apo deklarata e koordinuar për pavarësinë e Kosovës, nga kufijtë e vitit 1974 drejt kufijve të vitit 1956, ka të bëjë me zgjidhjen e problemit të njerëzve, në radhë të parë, jo të tokave”.

“Dallimi me propozimet tjera që përfshijnë edhe opsionet serbe, por edhe opsionet e disa grupeve politike në Kosovë është që të drejtat e qytetarëve dhe të drejtat e njeriut, në radhë të parë, dhe të drejtat e pakicave nacionale vijnë në shprehje, e më pas edhe tokat e tyre ku ata jetojnë. Shqiptarët në Kosovën lindore që përfshijnë territoret e Preshevës, Bujanocit dhe një pjesë të madhe të Medvegjës, zgjidhen si problem politik duke ua njohur të drejtën e administrimit të Prishtinës si kryeqytet i atdheut të tyre”, ka thënë Haziri për REL.

Sipas tij, ndërsa Leposavici dhe disa fshatra të Zubin Potokut po i kthehen qendrës së vet politike, i kthehen Serbisë dhe bëhet përmirësimi i krejt kësaj gjendjeje, realizimi i të drejtave të njerëzve dhe zgjidhja e problemit në veri në pjesën dominante, por edhe në lindje për shumicën e qytetarëve.

“Unë, në fakt, kam dalë si deputet dhe në kuadër të legjitimitetit qytetar, sepse jam zgjedhur deputet mbi listat e hapura dhe nuk kam bërë propozim të partive politike, sepse kam dashur t’u ik ngjyrimeve partiake. Kufijtë që Serbia po i pretendon që kanë të bëjnë me kufirin natyror të lumit Ibër në veri, dhe Moravën e Binçës në Anamoravë, si dy pika territoriale ku shtrihet sovraniteti i Serbisë, janë të papranueshme. Janë të papranueshme, sepse është kufi i imponuar nga boshti famëkeq i Luftës së Dytë Botërore”, thotë Haziri.

Tutje deputeti i LDK-së ka thënë se Mitrovica e Kosovës ka qenë gjithmonë, , territorialisht, në të gjitha proceset, pjesë e Kosovës, siç ka qenë Zveçani dhe pjesa malore e fshatrave Boletin, Zhazhë e Bistricë, në anën tjetër. “Ndërsa, Leposaviqi me disa fshatra gjithmonë kanë qenë predominante serbe dhe kanë qenë të dirigjuara nga qendra që është më e afërt, Kraleva, vendbanimi më i madh serb”.

Për këtë ai thotë se duhet të këtë rregullim të kufijve mbi parimin e vitit 1956, i cili eliminon ndarjen e Kosovës, eliminon ndarjen e jashtme territoriale të Kosovës dhe tendencës që Serbia e ka tash për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës. “Rishikimi i krejt kësaj dhe njohja që në hekurudhë në lindje të Kosovës të jetë kufiri, dhe në pjesën malore në veri dhe lindje, zgjidh problemet e njerëzve në radhë të parë, por edhe problemet mes Kosovës dhe Serbisë dhe është hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Me këtë propozim nuk preket Maqedonia e sotme, ajo mbetet e paprekshme, kufijtë e saj janë të pranuar ndërkombëtarisht dhe, natyrisht, edhe Kosova në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve, ka pranuar procesin e demarkacionit dhe kur të vijë koha ratifikohet si proces”.

I pyetur nga gazetari i REL se Z.Haziri, ka qenë pjesë e shumë proceseve të rëndësishme, përfshirëe dhe atë të vendosjes së statusit të Kosovës. Në mesin e shumë parimeve që Grupi i Kontaktit kishte vendosur atëherë, ishte edhe ai i mosndryshimit të kufijve aktualë të Kosovës. Sa është propozimi i juaj në harmoni apo dis-harmoni me parimet e Grupit të Kontaktit?

“Është e vërtetë, Grupi i Kontaktit në takimin e Londrës, në kuadër të pyetjes dhe kërkesës së z.Ahtisari, si ndërmjetës ndërkombëtar i OKB-së për Kosovën, se çfarë qasje duhet pasur për zgjidhjen e statusit të Kosovës, i ka dhënë katër parime dhe një prej tyre ka qenë ai i mosndryshimit të kufijve të brendshëm dhe të jashtëm të ish-Jugosllavisë si pjesë e shpërbërë tashmë. Kjo është bërë si konsekuencë e Konferencës së Dejtonit dhe në rastin e Kosovës ka ndihmuar në zgjidhjen e problemit, sepse nuk i është njohur rezultati i luftës as serbëve, kroatëve, e as boshnjakëve. Do të thotë është eliminuar tendenca që me aktin e luftës, zaptimi i territoreve dhe spastrimet etnike të mos njihen”.

“Në rastin e Kosovës do të ishte fatale nëse kjo do të njihej, sepse në atë rast jo vetëm që do të vinte deri te ndarja, por edhe deri te rishikimi komplet i gjendjes. Ne e kemi respektuar, ndërmjetësi ndërkombëtar e ka respektuar këtë dhe në kuadër të shpërbërjes së ish-RSFJ-së, në takimet e Vjenës është ruajtur parimi i kufijve të vitit 1974. Më lejoni të them se më 1974, apo Kosova në kufijtë e Fadil Hoxhës, e nxjerrë si pasojë e dy proceseve në ish-Jugosllavi të vitit 1956 e njohur në Kosovë si koha e Rankoviqit, ish- ministri i Punëve të Brendshme e deri në vitin 1965 është bërë akt i kryer”, ka thënë Haziri.

I pyetur se si do të priten këto opinione të tij në Beograd dhe Prishtinë, Haziri ka thënë se ai do të vazhdoj që të tregoj se të drejtat politike dhe zgjidhja e problemeve nuk janë të lehta, “por nuk besoj dhe nuk mendoj asnjëherë se për hir disa parimeve që janë tejkaluar tashmë, duhet të vuajnë njerëzit dhe të drejtat e tyre kolektive atje duhet të garantohen dhe garantuesi më i madh është nëse ata (shqiptarët e Luginës së Preshevës), jetojnë në Kosovë. Ata pandershëm dhe padrejtësisht janë ndarë dhe janë mbajtur nën këtë presion”.

“Marrëveshja e Konçulit mes UÇPMB-së, faktorit ndërkombëtar dhe Serbisë në anën tjetër, referendumi i tyre dhe shumë akte tregojnë qartë se vullneti i tyre është i shprehur dhe është i qartë. Andaj, ne duhet të fillojmë ta respektojmë dhe është hapësirë e mirë që t’i japim impakt pozitiv”, ka thënë tutje Haziri.

Sipas Hazirit propozimi i tij në asnjë mënyrë nuk e rrezikon hapësirë territoriale të Kosovës dhe as nuk e eliminon kërcënimin për ndarje të brendshme të vendit, çfarë po kërkon sot Serbia. “Fundja, propozimet janë për t’u shqyrtuar nëse ia vlejnë të shqyrtohen dhe nëse jo, ka edhe opsione tjera, por të cilat janë më të vështira dhe më të gjata. Të mos harrojmë ne, si Ballkan Perëndimor, po e shohim se çfarë perspektive kemi kur është fjala për integrimet evropiane, por duhet pasur parasysh që në BE nuk shkohet pa i zgjidhur problemet etnike, ato të të drejtave të njeriut dhe pa konceptim evropian. Prandaj, ne duhet t’i zgjidhim këto probleme që ta vazhdojmë rrugën njëkahëshe drejt BE-së”.

Për ndonjë shkëmbim territori sot ka folur edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremic, i cili ka thënë se Serbia jo vetëm që nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës, por nuk i pëlqejnë as deklaratat e atyre që i referohen jugut të Serbisë, sipas tij, me emrin Kosova Lindore.

“Pranimi i pavarësisë së Kosovës, do të ishte precedent duke përfshirë edhe për ata që jugun e Serbisë e quajnë Kosovë Lindore. Prandaj, nuk e njohim Kosovën”, ka thënë Jeremic në një debat me studentë, të cilin e ka mbajtur në një universitet në Londër.

Madje, Jeremic ka thënë se Kosova ende është pjesë e Serbisë.

“Kosova është bërë pjesë e Serbisë, kur Serbia është bërë pjesë e Serbisë”.

Ministri i jashtëm serb ka thënë se gjatë historisë edhe serbët kanë qenë të diskriminuar, dhe se shqiptarët kanë qenë të diskriminuar vetëm në kohën e Milloshevicit, e cila tashmë ka kaluar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›