E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raundi i bashkëpunimit?

Raundi i radhës i bisedimeve Prishtinë – Beograd pritet ta ketë temë kryesore pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale. Beogradi ka paralajmëruar mundësinë e arritjes së marrëveshjes për këtë çështje që vazhdimisht theksohet si kusht nga zyrtarët e BE’së. Edita Tahiri thotë se pala kosovare, më 30 nëntor në Bruksel, nuk do ta pranojë propozimin për përfaqësim asimetrik të Kosovës në forumet rajonale.

Edhe dy javë i kanë mbetur Serbisë të përmbushë kërkesën e BE’së për të arritur një marrëveshje me Prishtinën që do t’i mundësojë institucioneve të Kosovës pjesëmarrjen në nismat rajonale.

Dhjetë ditë para vendimit të BE’së për kandidaturën e Serbisë, pikërisht më 30 nëntor, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic do të takohen në Bruksel për të diskutuar pjesëmarrjen e Kosovës nëpër forumet rajonale.

Por, zyrtarët e Beogradit kanë thënë se do të provojnë të merren vesh me Prishtinën për të lejuar që Kosova të bëhet pjesë e nismave rajonale, bashkë me zyrtarët e UNMIK’ut dhe sipas Rezolutës 1244 të OKB’së.

Mirëpo, kjo kundërshtohet nga Kryenegociatorja Edita Tahiri, e cila thotë se Serbia duhet të heqë dorë dhe të mos e pengojë Kosovën në nismat rajonale.

“Sa i përket çështjes së bashkëpunimit rajonal, zgjidhja kërkohet - në fakt në ndërrimin e qëndrimeve të Serbisë në kuptimin e heqjes së pengesave që ia shkakton bashkëpunimit rajonal në tërësi, por edhe Kosovës në veçanti”, ka thënë Tahiri, për Express, të shtunën.

“Sa u përket temave, do të vazhdojmë me temat, të cilat janë të hapura nga raundi i kaluar, është çështje a bashkëpunimit rajonal, pastaj telekomi dhe energjia si dhe do të vazhdojmë bisedat për menaxhimin e integruar të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ajo.

Por, menaxhimi i integruar i kufijve nuk është përmendur nga pala serbe si temë e raundit të ardhshëm në Bruksel.

Presidenti serb, Boris Tadic, të premten, pas takimit me Presidentin e BE’së, Herman Van Rompuy, është shprehur optimist se do të ketë marrëveshje për bashkëpunimin rajonal.

“Kemi arritur tashmë disa zgjidhje të rëndësishme dhe Qeveria serbe ka filluar zbatimin e këtyre zgjidhjeve. Nga ana tjetër, ne shpresojmë se do të gjejmë zgjidhje për pjesëmarrjen e Prishtinës në forumet rajonale. Serbia në mënyrë konstruktive ka bërë disa propozime në pajtim me Rezolutën 1244. Shpresojmë se mund të gjejmë zgjidhje të tilla”, ka thënë Tadic.

Edhe Rompuy i kishte thënë qartë se pa marrëveshjen për bashkëpunim rajonal nuk do të ketë vendim pozitiv të BE’së.

“Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë pjesë thelbësore në procesin e zgjerimit. Këshilli Europian do të gjykojë secilin shtet duke u bazuar në meritat e veta si dhe në kushte të drejta dhe rigoroze”, ka thënë Presidenti Rompuy.

Edita Tahiri thotë se zgjidhja varet nga Serbia.

“Do të ketë marrëveshje për bashkëpunimin rajonal në qoftë se Serbia do të reformojë mendësinë politike që të mos i bëhet pengesë Kosovës në pjesëmarrjen e barabartë në të gjithë mekanizmat rajonalë”.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka kundërshtuar që Kosova të shkojë në ndonjë tubim ndërkombëtar bashkë me UNMIK’un.

“Kosova duhet të jetë pjesë e barabartë e të gjitha mekanizmave rajonale dhe çështja e UNMIK’ut është çështje e kaluar”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka thënë se përpos bashkëpunimi rajonal, Serbia e ka kusht edhe heqjen e strukturave paralele në Kosovës dhe përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje.

Kjo zyrtare e Qeverisë ka komentuar edhe idenë e Ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bildt, se Veriu i Kosovës duhet të bëhet pjesë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Për sa i takon propozimit të Ministrit Bildt, mendoj se është në frymën e Komisionit Evropian, i cili kërkoi nga Kosova angazhime më të shtuara të zbatojë Planin e Ahtisaarit”, është përgjigjur Tahiri.

Dialogu i nisur në prill të këtij viti, është ndërprerë në fund të shtatorit, për shkak të shpërthimit të dhunës në pikat kufitare në Veri të Kosovës dhe pasi pala serbe nuk arriti të imponojë temën e kufijve në dialogun teknik. Para një jave, ka përfunduar raundi i shtatë, ku është arritur marrëveshja për njohjen e diplomave të dy shteteve, derisa marrëveshjet e tjera ende nuk janë zbatuar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›