Krasniqi: Integrimi, kriter bazë i zhvillimit demokratik

Me ftesë të kryetarit të Forumit Ndërkombëtar për Paqe dhe Demokraci (IFDP), kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është duke marrë pjesë në Samitin e këtij Forumi, i cili është duke u mbajtur në Stamboll.
Në këtë Forum, në të cilin po marrin pjesë përfaqësues të më se 40 parlamenteve nga shtete të ndryshme të botës, kryeparlamentari Krasniqi duke vënë në spikamë rëndësinë e tij.
”Themelimi i Forumit Ndërkombëtar për Paqe dhe Demokraci këtu e gjashtë vjet më parë, ishte një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për rajonin, por për gjithë botën”, theksoi Krasniqi. Ai ka folur edhe për eksperiencën e Kosovës, si një kontribuues të paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore, si dhe për zhvillimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Duke folur për proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova dhe për përpjekjet e saj për integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike, kryeparlamentari Krasniqi është shprehur se kriter bazë i zhvillimit demokratik të institucioneve është procesi i integrimit evropian, i cili do të marrë impulse të reja me nënshkrimin e shpejtë, të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.
Përkitazi me çështjet e integrimit, Krasniqi theksoi se Kosova me miqtë e saj, synon anëtarësimin në organizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë OKB-në dhe integrimin në Bashkimin Evropian e në NATO.
Për të arritur këto objektiva, ai para pjesëmarrësve në këtë forum u shpreh se Kosova është në proces të forcimit të sundimit të ligjit dhe në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. /Indeksonline/