E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në dialogun e ardhshëm të zbardhet fati i të pagjeturve

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës më shumë përkushtim në zbardhjen e fatit të të pa gjeturve.

“Edhe pse për familjarët e viktimave të luftës aplikimi i ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre në aspektin e realizimit të drejtës në pension është i rëndësishëm, më i rëndësishëm do ishte zbatimi i ligjit për persona të zhdukur, respektivisht neni i 5-të i tij i cili ka të bëjë me të drejtën e familjarëve për t’u informuar për fatin e personave të zhdukur”, thuhet në një komunikatë të FDH-së.

Sipas saj, edhe pse Qeveria e Kosovës ka krijuar disa mekanizma të cilët duhet të merren me hulumtimin dhe gjetjen e personave të zhdukur rezultatet e punës së këtyre mekanizmave nuk janë të kënaqshme. “Këta mekanizma gjithnjë thirren në faktin se kanë mungesë të informacioneve për vendndodhjen e varrezave. Këto institucione janë të obliguara që të gjejnë zgjidhje dhe të gjejnë mënyra që të vijnë tek informacionet mbi varrezat masive apo individuale, në mënyrë që të zbardhet fati i sa më shumë personave të zhdukur, dhe në këtë mënyrë t’u lehtësohet ankthi i familjarëve të personave të zhdukur”, vazhdon komunikata.

Qeveria e Kosovës kishte premtuar se kjo çështje do të jetë temë e dialogut me Serbinë por meqë deri më tani kjo nuk ka ndodhur FDH Kosovë kërkon që çështja e personave të zhdukur të jetë tema e radhës për diskutim sepse kjo temë vazhdon të mbetet tejet aktuale në shoqërinë tonë dhe është hap i rëndësishëm i shoqërive që të ballafaqohen me të kaluarën e tyre.

“Institucionet e Kosovës duhet të përkrahin themelimin e KOMRA-s, Komision i cili në masë të madhe do ndihmonte në procesin e bërjes publike të fakteve mbi krimet e luftës, duke përfshirë edhe çështjen e personave të zhdukur. FDH Kosovë rikujton se që nga përfundimi i luftës në Kosovë, fati i rreth 1750 personave të zhdukur nga të gjitha komunitetet mbetet ende i panjohur”, përfundon komunikata. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›