E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Kuvendi i Kosovës të nxjerrë rezolutë për bisedime

Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerrë një rezolutë e cila do të përcaktojë kornizat e bisedimeve me Serbinë. Ai tha se pret që grupet parlamentare të kërkojnë debat në Kuvend rreth çështjes së dialogut me Serbinë.

Opozita ndërkaq, theksoi se çfarëdolloj dialogu me Serbinë do të jetë i karakterit politik. Kosova nuk duhet të nisë bisedimet me Serbinë pa kaluar kjo çështje në Kuvend, thonë përfaqësues të partive parlamentare. Kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, duke përkrahur këtë qëndrim, madje pret që kjo çështje do të kërkohet për tu debatuar në Kuvend nga grupet e pozitës, por është më se i sigurt se këtë do ta kërkojë opozita.
Grupi më i madh opozitar, LDK-ja thotë se qoftë edhe e vetme, ka numrat që ta ngrejë këtë çështje në Kuvend. Sabri Hamiti nga LDK, thotë se nuk qëndron arsyetimi se kjo është çështje strategjike dhe nuk mund të bisedohet hapur, pasi ai thekson mundësinë që debati të organizohet edhe i mbyllur për publikun. Gjithashtu ai thotë se nuk qëndron as arsyetimi se po bisedohet për çështje teknike.
 

Ndërsa zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, thotë se perceptimi është se me Serbinë është çdo gjë politike. Edhe Lëvizja Vetëvendosje, komenton për këtë cështje duke thënë se këto nuk janë bisedime apo dialog, por negociata, të cilat janë të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën. Visar Ymeri nga kjo lëvizje thotë se ato do t’i mundësojnë Serbisë aderimin në BE ndërsa Kosova nuk fiton asgjë. Ai thotë se Vetëvendosja përvec se kërkon që çështja të diskutohet në Kuvend do të përdorë edhe mjete jashtë-institucionale siç ka bërë deri më tani.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›