Maqedonia shtyn regjistrimin e popullsisë

Qeveria e Maqedonisë pritet të marrë sot vendimin për shtyrjen e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë për në vjeshtë.
Mediat vendase raportojnë se muajt më të mundshëm për mbajtjen e regjistrimit janë shtatori dhe tetori. Ky vendim merret për shkak të zgjedhjeve të parakohshme që pritet të mbahen në muajin maj ose qershor.
Duke marrë parasysh situatën, regjistrimi i popullsisë në Republikën e Maqedonisë pritet të organizohet nga qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme. Ndërkaq, nuk dihet ende se çfarë do të bëhet me vendimet e marra nga Komisioni Shtetëror i Regjistrimit gjatë periudhës kur në të nuk bënin pjesë përfaqësuesit shqiptarë dhe ata turq, të cilët bojkotuan punën e KSHR-së.
Regjistrimi ishte planifikuar të mbahej nga 1-15 prill 2011, por që nga njoftimi i tij kishte kundërshtime për mënyrën dhe kohën e regjistrimit.
Maqedonia nuk është shteti i parë që shtyn regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, pasi një vendim të tillë ka marrë edhe Shqipëria me Serbinë.