Krasniqi: Nëna Tereza, përfaqëson shpirtin human të shqiptarëve

Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi ka thënë se Nëna Tereza, përfaqëson jo vetëm simbolin botëror të humanizmit, por edhe shpirtin human të kombit shqiptar.
Këto komente, Krasniqi i bëri të shtunën gjatë përurimit të shtatores se humanistes shqiptare Nëna Terezë, në Augsburg të Gjermanisë.
Zbulimi i kësaj shtatore, është bërë në praninë e shumë qytetarëve, shqiptarë e gjermanë, kryetarit të këtij qyteti, Peter Grab dhe ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita.
Ministri Krasniqi po ashtu ka thënë se kjo shtatore i bën nder të dy vendeve tona, Kosovës dhe Gjermanisë.
“Shtatorja e nobelistes sonë nderon secilin shqiptar, por prezenca e saj këtu është një nder i madh edhe për Augsburgun dhe qytetarët e tij. Unë besoj se kjo shtatore është edhe një arsye më shumë për thellimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe në radhe të parë ndërmjet dy popujve tanë”, tha ministri Krasniqi para të pranishmëve.
Iniciativa e ngritjes se kësaj shtatore ka qenë e familjes Seferi, që jeton në Augsburg dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.