Krasniqi: Nuk përjashtohen zgjedhjet e parakohshme
Krasniqi ka kritikuar qeverinë për shkak të ngadalësisë në përgatitjen e ligjeve, ndërkaq po ashtu ka thënë se sa i përket pjesës veriore të vendit, EULEX-i i ka ndihmuar institucionet e Kosovës, por në fushat tjera deri tani nuk ka pasur ndonjë sukses të dukshëm. “Nëse është interesi i Kosovës, nëse është interes i institucioneve dhe i demokracisë së vendit, unë nuk e them se medoemos zgjedhjet duhet të mbahen në vitin 2011. Nëse është interesi i përbashkët që zgjedhjet të mbahen në 2010, atëherë unë si kryetar i Parlamentit, por edhe si sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike, jam në shërbim të proceseve demokratike që e avancojnë jetën politike dhe demokratike në Kosovë”, tha kryeparlamentari Krasniqi. Ai ka krituar qeverinë e vendit për ngadalësi në përgatitjen e ligjeve.“Plani i Kuvendit ka paraparë miratimin e më shumë ligjeve gjatë vitit 2009, por realisht ato nuk kanë ardhur sipas planifikimeve nga qeveria, si sponsorues kryesor i ligjeve. Qeveria në këtë drejtim ka pasur një ngecje dhe kështu as Kuvendi nuk ka arritur të përmbushë planin e vet për miratimin e më shumë ligjeve”, tha Krasniqi. Ai po ashtu kritikoi EULEX-in gjatë vitit të parë të punës në Kosovë duke vlerësuar se ky mision nuk i ka përmbushur plotësisht pritjet e institucioneve të Kosovës. “Në disa detyra, sa i përket pjesës veriore të vendit, mund të themi se EULEX-i i ka ndihmuar institucionet e Kosovës. Megjithatë, në fushat tjera deri tani nuk ka pasur ndonjë sukses të dukshëm. Shpresojmë që në vitin e dytë të ketë suksese”, u shpreh ai.I pyetur rreth mundësisë për rishikimin e mandatit të EULEX-it, Krasniqi u thirr në propozimin Ahtisari sipas të cilit “pas një periudhe tre vjeçare ekziston mundësia për të rishikuar disa çështje”. “Varet shumë se si do të funksionojnë institucionet e Kosovës, si do të ngritën kapacitetet qeverisëse dhe nga kjo varet rishikimi i mandatit”, tha kryeparlamentari. Krasniqi përgjithësisht e vlerësoi të suksesshëm vitin 2009 por ai tha se mbeten ende çështje të cilat duhet të adresohen menjëherë në fillim të vitit 2010 nga Kuvendi i Kosovës.