Krasniqi: Për 100 ditë të arritura mjaft të rëndësishme
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka prezantuar të enjten raportin e punës 100-ditore të ministrisë që ai drejton, me ç’rast theksoi se përkundër shumë sfidave që janë tejkaluar mbetet ende shumë për t’u bërë.
Ai gjatë një konference për media ka thënë se rritja e buxhetit të kësaj ministrie për mbi 1 milion euro dhe rregullimi i statusit juridik dhe financiar për krijuesit dhe performuesit e kulturës, si dhe punonjësit profesional të trashëgimisë kulturore, janë dy nga disa të arritura mjaft të rëndësishme.
Sa i përket buxhetit ministri Krasniqi tha se edhe në vitet e ardhshme do të ketë rritje të ndjeshme.
“Disa më të arriturat kryesore që mund të konsiderojmë për 100-ditshin e parë në radhë të parë do të thosha që ka të bëjë me rritjen e ndjeshme të buxhetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili për herë të parë ka arritur të tejkalojë shifrën prej 13 milionë eurosh. Padyshim edhe në vitet e ardhshme edhe në kornizën afatmesme të shpenzimeve siç e kemi paraparë do të ketë rritje graduale të vazhdueshme”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa e arritura tjetër, sipas ministrit Krasniqi, ka të bëjë me miratimin e rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe punonjës profesional të trashëgimisë kulturore, ku sipas tij, për herë të parë është rregulluar statusi juridik dhe është përmirësuar dukshëm edhe kompensimi financiar.
“Një e arritur tjetër, e cila na bënë të gjithëve që të ndjehemi mirë përfundimisht ka të bëjë me miratimin e rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe për punonjësve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore me të cilën për herë të parë është rregulluar statusi juridik dhe po ashtu është përmirësuar dukshëm edhe kompensimi financiar, për mbi 300 punëtorë të institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, të cilat janë nën varësinë e kulturës, rinisë dhe sportit”, ka thënë Krasniqi.
Sipas ministrit Krasniqi, MKRS ka nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi në vlerë prej 1.5 milion dollarësh që sipas tij do të shfrytëzohen për projekte restauruese në trashëgiminë kulturore.