Një 84-vjeçare e sulmon me shat fqinjen

Një grua 84-vjeçare, banore e fshatit Bajë të Skenderajt, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore një gruaje tjetër, 32-vjeçare, duke e bërë për spital. Mosmarrëveshja mes dy grave, të përkatësisë serbe, besohet të jetë motivuar nga një zënkë e fëmijëve gjatë një loje.
Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 18:30, ndërsa viktima, me lëndime të dukshme në kokë është paraqitur në nënstacionin policor në Syriganë, për të raportuar rastin e sulmit fizik ndaj saj, nga bashkëfshatarja e saj 84-vjeçare.
“Viktima fillimisht ishte dërguar për ndihmë të parë mjekësore në shtëpinë e shëndetit në Skenderaj, e më pas me kërkesë të saj, e njëjta është transferuar në spitalin e qytetit në veri të Mitrovicës”, njofton Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.
Sipas raportit mjekësor, viktima ka pësuar lëndim në pjesën e parme të kokës, prerje mbi vetull, e cila është sanuar nga mjekët intervenues, me tre kopse.
Rasti i sulmit fizik është raportuar të ketë ndodhur në fshatin Bajë të Skenderajt, ndërsa 84 vjeçja besohet të ketë vënë në përdorim një mjet të fortë, mjet të punës (shati), për të goditur viktimën.
Rasti është iniciuar si vepër penale “shkaktim i lëndimeve të rënda trupore” ndërsa pas kontaktit të vënë me kryeprokurorin, paraqitja penale dërgohet në procedurë të rregullt.