Krasniqi: Policët vijnë në pushtet vetëm në raste puçesh
PRISHTINE-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e konsideroi si antikushtetuese marrëveshjen e arritur dy net më parë nga Thaçi, Pacolli dhe Mustafa. Në një intervistë për mediat elektronike kosovare, - ai tha se mandati 5-vjeçar i presidentit nuk mund të ndërpritet. Krasniqi pohoi se Thaçi ka thyer statutin e PDK-së, duke mos e konsultuar fare për marrëveshjen. Sipas kreut të Kuvendit, pushtetin nga radhët e policisë e ushtrisë e marrin individët vetëm në kohë puçesh. Krasniqi tha se lideri i PDK-së ka anashkaluar krejtësisht organet e partisë për marrëveshjen, dhe në këtë mënyrë e ka shkelur statutin e saj. E, sa i përket presidentes së re, Krasniqi u shpreh se ajo mund të jetë police e mirë, por vendit i duhej një president nga sfera politike, ose, në rastin e konsensusit, nga bota akademike. Madje, ai theksoi se dikush i policisë në pushtet vjen zakonisht në kohë puçesh. Kryetari i Kuvendit shprehu keq-ardhjen që partitë e tjera opozitare, AAK-ja dhe Vetëvendosje, janë anashkaluar nga procesi në mënyrë të padrejtë. Ai bëri publik dyshimin se kjo marrëveshje do të mund t'i japë fund krizës politike në vend. Dje sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Krasniqi, nuk mori pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të PDK-së. Në mbledhje nuk mori pjesë as nënkryetari Fatmir Limaj. Këta dy, së fundi, kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj kreut të partisë, kryeministrit Hashim Thaçi. Adem Grabovci, kreu i grupit parlamentar të PDK-së, i pyetur lidhur me mungesën e Krasniqit e Limajt, tha se ata kanë qenë të zënë me angazhime të tjera.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)