Krasniqi: Respektoj Kushtetutën dhe ligjet në fuqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i është përgjigjur ambasadorit amerikan në Prishtinë, Chris Dell, se asnjëherë në jetën e tij nuk ka punuar në drejtim të acarimeve të raporteve me miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, e aq më pak me miqtë amerikanë. Ndërsa Dell një ditë më parë ka kritikuar kryetarin e legjislativit, duke thënë se ai ka zgjedhur të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij.
Krasniqi në një prononcim televiziv ka deklaruar se nuk është në mbrojtje të askujt, por në mbrojtje të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi të Kosovës. Para së gjithash, ai ka thënë se rolin e tij në krye të Kuvendit nuk ia kanë përcaktuar diplomatët e jashtëm, por angazhimi i tij politik. “Kam respekt për vlerësimet që i jep ambasadori Dell, por, megjithatë, pozitën time e ka përcaktuar së pari angazhimi im politik, së dyti e kanë përcaktuar qytetarët e Kosovës dhe së treti e ka përcaktuar votimi që ka ndodhur në fillim të kësaj legjislature nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.
I bindur se është duke kryer detyrat në përputhshmëri me interesin e qytetarëve dhe në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën, ai ka shprehur respekt edhe për demokracinë perëndimore, e në veçanti për atë amerikane. Ai ia ka rikujtuar Dellit edhe një gjë. “E kemi mësuar nga ligjvënësit amerikanë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Dhe në këtë aspekt jam angazhuar gjatë gjithë jetës sime, e sidomos gjatë gjithë këtyre viteve, që në Kosovë të sundojnë rendi dhe ligji, që askush të mos jetë mbi ligjin dhe Kushtetutën dhe ligjshmërinë”, ka shpjeguar Krasniqi.
Krasniqi nuk është zmbrapsur nga kundërshtimi që i ka bërë kërkesës së EULEX-it që Kuvendi ta nxjerrë një rezolutë përmes së cilës do të obligohej Qeveria që të kërkonte shpjegime nga Gjykata Kushtetuese për çështjen e imunitetit që mund të kenë deputetët gjatë arrestimeve. “Jam i bindur se kërkesa e EULEX-it ka qenë joligjore, jokushtetuese dhe në adresë të gabuar. Të gjithë e dinë se kush ka të drejtë t`i drejtohet Kuvendit me kërkesa të tilla.
Të drejtën për të bërë kërkesë qoftë për Rezolutë, qoftë për seancë të jashtëzakonshme e ka kryeministri i Kosovës, e ka presidenti i Kosovës, e kanë 40 deputet të Kuvendit, kurse kërkesën për të futur në rend ditë një çështje të caktuar e kanë edhe gjashtë deputetë.
Një gjë e tillë nuk ka ardhur prandaj, kam konsideruar dhe jam përpjekur që ta sqaroj, duke e pasur edhe ndihmën e ekspertëve vendës e ndërkombëtarë se kërkesa e EULEX-it ka qenë jolegale, jokushtetuese dhe në adresë të gabuar”, ka sqaruar Krasniqi. Kuvendi, sipas tij, nuk ka nevojë me rezolutë që ta obligojë Qeverinë apo dikë tjetër për t`ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
“Prandaj, në këto aspekte nuk është dashur të futet parlamenti e aq më pak kryetari i parlamentit, i cili i administron kërkesat që bëhen mbi bazën e Kushtetutës, mbi bazën e ligjeve dhe mbi bazën e Rregullores së punës së Kuvendit”, ka shtuar ai. Letrën të cilën e ka përgatitur për EULEX-in, ai ende nuk e ka dërguar, edhe pse të martën, kopjet e saj ua ka shpërndarë të gjithë nënkryetarëve dhe shefave të grupeve parlamentare. Pritet që e njëjta letër të mos procedohet para mbledhjes së radhës së Kryesisë së Kuvendit, meqë ajo është vetëm në fazën e draftimit të saj.