Maqedoni, propozimi për kabinetin e ri qeveritar në Parlament

Nikolla Gruevski , pritet që sot të dorëzojë pranë Parlamentit propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe programin e Qeverisë së re. Agjensia e lajmeve “INA”, raproton se jozyrtarisht mësohet se lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti kanë vendosur për përbërjen ministrore që do të jetë në Qeverinë e re.
VMRO-DPMNE mbrëmjen e së mërkurës ka vendosur se cilët nga ministrat do të qëndrojnë në ekzekutiv dhe cilët do të jenë ministrat e rinj, ndërsa BDI ka vendosur vetëm për kandidatin për ministër të Ekonomisë, emri i të cilit nuk është bërë publik, për shkak të shqyrtimit të disa kandidaturave.
Nga BDI për ministra janë caktuar: Fatmir Besimi i Mbrojtjes, Vlerim Bexheti i Drejtësisë, Abdulaqim Ademi i Ekologjisë, Nevzat Bejta i Pushtetit Lokal si dhe dy zëvendëskryeministrat: Musa Xhaferi për sekretariatin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Teuta Arifi për evrointegrime.
Nga VMRO-DPMNE do të mbeten disa nga ministrat e përbërjes së kaluar, duke përfshirë ministrin e Financave, Zoran Stavrevski, zëvendëskryeministrin Vladimir Peshevski, ministren e brendshme Gordana Jankullovska, ministren e kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska, etj. Afati i fundit për dorëzimin e propozimit për Qeverinë është 17 gushti, ose më së shumti, deri në fundin e javës.