Krasniqi-Schulz: PE do të mbështesë Kosovën

Në kuadër të takimit vjetor ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kosovës, një delegacion i Kosovës, i udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka nisur vizitën zyrtare në Strasburg, ku është pritur në takime të ndara nga kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz dhe nënkryetari Lázsló Surjan.
Në të dy takimet, kryetari Krasniqi falënderoi mikpritësit për marrëdhëniet e mira që janë ndërtuar ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kosovës, mbështetjen që PE i ka dhënë Kuvendit të Kosovës, për qëndrimin e avancuar që ai mban ndaj Kosovës, për rezolutat e miratuara në mbështetje të saj, duke iu bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, që të njohin atë.
Kryetari Krasniqi gjithashtu paraqiti rezultatet që Kosova ka arritur brenda një viti, nga takimi ndërparlamentar i vitit të kaluar, por edhe sfidat me të cilat ajo po përballet aktualisht. Ai shprehu shqetësimin ndaj qëndrimit që Serbia po mban karshi Kosovës, duke mbështetur strukturat kriminale në veri, duke mos i zbatuar marrëveshjet e arritura dhe duke shpallur zgjedhjet e saj edhe në Kosovë, vendim ky të cilin kryetari Krasniqi e quajti agresion kushtetues dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës.
Kryetari Krasniqi raportoi edhe për punën e Kuvendit dhe strukturën e tij.
Nga ana e ti Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, tha se PE vazhdon të mbajë lidhje të afërta me Kuvendin e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë, sikurse edhe në të kaluarën. Ai tha se perspektiva evropiane e Kosovës është e sigurt dhe se rruga e integrimit evropian të saj nuk ka asnjë kundërshtim. Megjithatë, Schulz tha se ende ka shumë punë për të bërë në këtë proces, ndërsa negociatat në këtë drejtim do të vazhdojnë.
Vendimet e djeshme të Beogradit, për t`i shpallur zgjedhjet në Kosovë, ai i cilësoi në kundërshtim me negociatat e zhvilluara në Bruksel. Ndërkaq, vendimet e kohëve të fundit të Kuvendit të Kosovës, i quajti impresionuese.
Gjatë këtij takimi, prezent ishte edhe kryesuesi i Delegacionit të PE-së për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë - Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, Eduard Kukan, të cilin, kryetari Schulz, e konsideroi si njërin ndër njerëzit më të respektuar në Parlamentin Evropian.
Ndërkohë pasdite fillojnë punimet e takimit ndërparlamentar për të përfunduar nesër, me miratimin e një deklarate të përbashkët.
Në përbërje të delegacionit të Kosovës janë edhe nënkryetari i Kuvendit, Enis Kervan, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, deputetët: Lutfi Haziri, Ahmet Isufi, Albin Kurti, Hydajet Hyseni, Skënder Hyseni, Zenun Pajaziti, Myzejene Selemani dhe Biserka Kostiq, ka njoftuar Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.