E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Serbia nuk po i respekton marrëveshjet

PRISHTINE-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot përfaqësuesin special të BE-së, për Kosovën, Samuel Zbogar, njëherësh kryesues i Zyrës Evropiane në Kosovë, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, si dhe për forcimin e marrëdhënieve me BE-në dhe mekanizmat e saj në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Në takim, Krasniqi ka theksuar se pala kosovare ka qenë konstruktive edhe në dialogun teknik me Serbinë, ndërkaq pala serbe nuk po tregon gatishmërinë për t'i përmbushur marrëveshjet e arritura gjatë procesit të dialogut në Bruksel.

Kreu i Kuvendit ka pohuar se Kuvendi i Kosovës edhe deri tani ka pasur marrëdhënie shumë të mira me PE-në dhe me shumë parlamente të vendeve anëtare të BE-së, ndërkaq ka shtuar se marrëdhënie të mira bilaterale janë vënë edhe me parlamentet e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia, përvec me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, të cilat vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, kurse Beogradi zyrtar madje e ka instrumentalizuar një numër të qytetarëve serbë të Kosovës dhe po e pengon stabilizimin e gjendjes në veri të vendit tonë.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i BE-së, për Kosovën, Samuel Zbogar, ka shprehur kënaqësinë për takimin dhe për pritjen e ngrohtë që i është bërë nga institucionet, nga mediet dhe nga qytetarët e Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi ka shprehur kënaqësinë që BE-ja ka ngritur gatishmërinë për mbështetjen e Kosovës në rrugën drejt BE-së, ndërkaq emërimin e Zbogar në këtë post të rëndësishëm e vlerësoi si dëshmi të kësaj gatishmërie.

(d.b/Express/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›