E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, shtyhet nesër në mëngjes takimi i liderëve politikë

ATHINE - U shty për nesër në mëngjes takimi mes kryeministrit grek Papadhimos dhe liderëve politikë për finalizimin e Memorandumit të masave dhe Marrëveshjes së re të kredisë, takim që ishte njoftuar se do të zhvillohej sot. 

Në mbrëmje u zhvillua një takim i kryeministrit Lukas Papadhimos dhe kreut të Institutit Financiar Ndërkombëtar (IIF) Charles Dalaras, ku u diskutuan detajet e fundit për PSI dhe një takim tjetër me përfaqësuesit e Trojkës për marrëveshjen e kredisë prej 130 miliardë Euro.

Mbi të cilat duhet të japin një përgjigje liderët politikë grekë, të cilët ose duhet t’i pranojnë këto kushte për të shpëtuar vendin duke prekur xhepat e qytetarëve, ose t'i refuzojnë, duke pranuar falimentimin.

Mësohet se pas takimit të nesërm të Papadhimos me liderët politikë, do të mblidhet kabineti qeveritar i cili, në rastin e një marrëveshjeje do ta ratifikojë atë.

Reagimet 

Në krahun tjetër, Greqia është paralizuar sot, për shkak të grevës 24 orëshe që kanë organizuar sindikatat e sektorit publik dhe privat, në përgjigje të negociatave mes qeverisë dhe trojkës. Sindikatat kanë bërë thirrje gjithashtu për tubime në sheshin “Sintagma”.

Në grevë janë përfshirë, nëpunësit shtetërorë, punonjësit nëpër bashki, mësuesit e shkollave fillore, të mesme e pedagogët e Universiteteve, punonjësit e Telekomunikacioneve OTE, inxhinierët, punonjësit e bankave, punëtorët e kantierit detar, zyrtarët gjyqësorë, ndërsa spitalet do punojnë me personel të kufizuar. Edhe sektori privat, nëpërmjet konfederatës së tregtisë, ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në grevë, sepse "ndihet si humbës nga dialogu me qeverinë" dhe "do të luftojnë për të garantuar bizneset dhe nivelin e jetesës të popullit grek".

Autobusët, metrotë e tramvajet kanë lëvizur vetëm për të akomoduar punonjës që dëshironin të merrnin pjesë në tubimin dhe organizimin e sindikatave.

Në protestën e tyre sindikatat thonë se masat e Trojkës e cojnë në recesion shoqërinë dhe ekonominë greke. Lidhje te tjera Brukseli, gjithë vëmendjen tek Greqia Greqi, protestë dhe episode dhune në qendër të Athinës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›