Krasniqi: Vendimi i FIFA-s i pa drejtë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka reaguar lidhur me vendimin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, se Republika e Kosovës nuk mund të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore në territorin e Kosovës, pa lejen paraprake të Serbisë, si dhe nuk lejon flamurin dhe himnin shtetëror në ndeshjet miqësore ndërkombëtare jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
"Ky është një vendim i pa drejtë dhe i papranueshëm më të cilin FIFA rrezikon të shkel mbi parimet themelore sportive, e mbi të gjitha të drejtat elementare njerëzore" thuhet në komunikatën e ministrit Memli Krasniqi.
Me këtë vendim, FIFA konteston edhe shtetësinë e Kosovës të njohur nga 98 vende, që përbejnë shumicën e shteteve anëtare të OKB-së dhe nga disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare siç janë FMN, Banka Botërore, BERZH, etj.
"Ne këtë vendim e konsiderojmë si puro politik, në kundërshtim me të drejtën e të rinjve tanë, te shtetit tonë për të qenë të barabartë në garat ndërkombëtare futbollistike. Ne do të mbështesim Federatën e Futbollit të Kosovës që të shfrytëzojë të gjitha mjetet dhe metodat ligjore duke adresuar çështjen tonë në instancat më të larta vendimmarrëse sportive" thuhet më tej në komunikatë./Indeksonline/