Kosova nis emërimin e konsujve të nderit

Ministria e Punëve të Jashtme ka filluar emërimin e dhjetëra personaliteteve si konsuj nderi të Republikës së Kosovës në vende të ndryshme ku ka shqiptarë, raporton KosovaTimes.
Ministri i Punëve të jashtme, Enver Hoxhaj tashmë ka emëruar disa konsuj nderi për në Austri, Turqi, derisa në ditët në vazhdim pritet të emërohen konsuj nderi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Republikën e Federale të Gjermanisë, në Francë, në Lindjen e Mesme dhe shumë shtete tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Artan Behrami, këshilltar i ministrit Hoxhaj, ka konfirmuar të shtunën për Kosovatimes.net marrjen e vendimit për fillimin emërimit të konsujve të nderit.
“Jemi në pritje të pëlqimit nga shtetet përkatëse dhe shumë shpejt përfundojnë këto procedura dhe do t’i publikojmë edhe emrat”, ka thënë Behrami për KosovaTimes.
Në listën e konsujve të nderit që pritet të formalizohen shumë shpejt pas marrjes edhe të miratimit nga shtetet gjegjëse, ka personalitete të ndryshme që janë miq të Kosovës e që janë propozuar nga Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe nga MPJ.
Emërimi i konsujve të nderi fillimisht ndikon në lehtësimin e punës nëpër Ambasadat e Republikës së Kosovës.
Roli i Konsujve të Nderit kryesisht ka të bëjë me promovimin e Republikës së Kosovës, me qytetarët kosovarë jashtë shtetit, me lidhjet kulturore, me shkëmbimet ekonomike, me marrëdhëniet me shtypin e kështu me rradhë.