Krasniqi dënon sulmin në Zyrën Administrative në veri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Jakup Krasniqi, dënon ashpër sulmin mbi punonjësit e Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut, me ç’ rast është plagosur me armë zjarri zëvendësshefi i kësaj Zyre.
Ky sulm i rëndë dhe i paskrupullt është thellësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm nga të gjitha institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Ky veprim pos që godet jetën e qytetarëve, njëherësh është sulm mbi institucionin e Republikës së Kosovës, i cili kontribuon në kryerjen e shërbimeve administrative e lehtësimin e jetës së qytetarëve pa dallim kombësie në këtë pjesë të vendit.
Sulmi mbi cilindo institucion të Kosovës është akt i rëndë që ndikon në destabilizimin e jetës institucionale dhe të shoqërisë në Kosovë, ndaj kushdo që e ka bërë këtë sulm barbar, duhet të marrë dënimin e merituar nga ana e organeve përkatëse të drejtësisë së Republikës së Kosovës, ka thënë Krasniqi në reagimin e tij, njofton Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës./Indeksonline/