E Diel, 1 Nëntor 2026

Dukagjini ende pa rrymë

( E plotësuar) Reshjet e borës kanë shkaktuar telashe të mëdha në furnizim me energji elektrike në rajonin e Dukagjinit.

Ekipet e KOSTT-it që nga nata e mbrëmshme po vazhdojnë të punojnë në terren për të sanuar prishjet në rrjetin transmetues të energjisë elektrike.

Nga bora dhe erërat e forta ka rënë largpërçuesi 110 kV që lidhë nënstacionet Peja 1 e Peja 2 dhe largpërçuesit 110 kV që lidhë nënstacionin Peja 1 me atë Peja 3 për shkak të këputjes së përçuesve.

Problemet me energji elektrike ka pas edhe në pjesët e tjera të Kosovës për shkak të prishjeve në rrjetin e transmetuesve.

....

Të reshurat janë ndalur në rajonin e Dukagjinit, por ngricat po vazhdojnë të vështirësojnë qarkullimin në këtë zonë. Megjithatë, policia bënë të ditur se të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Xhevat Ibraj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës tha për Indeksonline se rrugët janë të kalueshme. Me përjashtim të dy rrugëve që janë të ndaluara për automjetet e rënda.

“Me përjashtim të rrugës për Rugovë dhe asaj në drejtim të Kullës në të cilat nuk lejohet qarkullimi i automjeteve të rënda, rrugët tjera janë të lira” tha Ibraj.

Ky zyrtar i policisë ka apeluar tek qytetarët për kujdes të shtuar sepse sipas tij, në këtë rajon ka ngrica jashtëzakonisht të mëdha.

Si pasojë e motit të ligë edhe një pjesë e qytetit të Pejës ka mbetur pa energji elektrike dhe ujë.

Ndërkohë Policia e Kosovës njofton se në gjithë vendin rrugët janë të tejkalueshme por me vështirësi në disa pjesë.

Akset rrugore më të vështirësuara për qarkullim mbeten ato në rajonin e Pejës, por edhe në disa rajone tjera siç janë zonat malore duke përfshirë zonën e Brezovicës, Prevallës, Bajgores dhe atë të Dragashit.

Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, t’u përshtaten kushteve atmosferike si dhe të pajisin automjetet me goma dimërore, të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku bora dhe ngricat janë të pranishme./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›