Krasniqi drejt “Vetëvendosjes”, 1 prill apo e vërtetë?

“KosovaOnline” citon burime brenda Lëvizjes “Vetëvendosje”, sipas të cilave, Jakup Krasniqi ka filluar përpjekjet për të kaluar në radhët e kësaj force politike. Po sipas të njëjtave burime, kryeparlamentari i Kosovës dhe njëkohësisht sekretari i përgjithshëm i PDK-së, është takuar me drejtues të “Vetëvendosjes”, pas pakënaqësive me zhvillimet e fundit politike në vend.
Megjithëse nuk dihet ende nëse vërtet Jakup Krasniqi po bisedon me Albin Kurtin, ajo që dihet tashmë është se kryeparlamentari është tejet i pakënaqur me zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës, e veçanërisht me raportet e krijuara në koalicionin qeveritar.
Lajmi deri më tani nuk është përgënjeshtruar nga asnjë, por as konfirmuar. Madje, mediat kosovare nuk dinë ende nëse kryeparlamentari Jakup Krasniqi është kthyer nga Brukseli, ku ka qëndruar për dy ditë me radhë.