E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi i premton Fules realizimin e prioriteteve të BE

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi priti sot komisionarin evropian për Zgjerim, Stefan Füle, me të cilin ka biseduar lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në dritën e Raportit të Progresit të dhe Studimit të Fizibilitetit për MSA-në.
 

Sipas njoftimit, Füle ka paralajmëruar që pas disa muajsh të arrihen edhe marrëveshjet e para kontraktuale të BE-së me Kosovën, të cilat kanë të bëjnë me disa programe të dobishme për vendin tonë. Ai ka shfaqur kënaqësinë që Kosova po ecën përpara, duke përmendur edhe gjërat e reja, substanciale që përmban Raporti i sivjetmë i Progresit për Kosovën.
 

Në të, ka theksuar Füle, për herë të parë përmendet mundësia e anëtarësimit të Kosovës në BE, duke shtuar edhe përkufizimin e bërë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, që përfshin edhe respektimin e integritetit territorial, e që do t`iu hapë rrugën të dy vendeve për në BE.
 

“Sa më e qartë të jetë korniza për Zgjerim e BE-së për Kosovën, aq më e madhe do të jetë përgjegjësia dhe roli i Kuvendit të Kosovës, si institucion demokratik, i cili duhet të fuqizohet vazhdimisht”, ka theksuar Füle.
 

Ai ka sugjeruar që të gjitha ligjet që i miraton dhe të gjitha gjërat që i diskuton Parlamenti, të jenë në frymën e aqui communitare, sepse kjo do të jetë kusht për negociatat e ardhshme të Stabilizim-Asocimit, ka pohuar komisionari i BE-së, transmeton koha.
 

Kryeparlamentari Krasniqi, ndërkaq, ka theksuar se legjislativi i vendit ka krijuar bazë të mirë profesionale dhe ka ngritur kapacitete jo vetëm për miratimin e ligjeve, por edhe për mbikëqyrjen e qeverisë dhe kontrollin e atyre agjencive që i përgjigjen Kuvendit.
 

“Do t`i kryejmë të gjitha çështjet që kërkohen dhe varen nga ne”, e ka siguruar kreu i Kuvendit komisionarin Füle.
Duke u ndërlidhë me bisedimet me Beogradin, që përmenden në Raportin e Progresit, Krasniqi ka theksuar se bisedimet për statusin politik të Kosovës kanë përfunduar në Vjenë, nga të cilat ka dalë Plani Ahtisaari, i cili është zbatuar në pjesën më të madhe të Kosovës dhe që në bashkëpunim me Brukselin dhe Washingtonin duhet të zbatohet edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›