Krasniqi kërkon nga Serbia të kthejë artefaktet e Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje Serbisë që të veprojë në mënyrë parimore dhe të kthejë mbi 1200 artefakte të Kosovës, të cilat janë marrë nga Muzeu i Kosovës në vitin 1999. Këtë thirrje Ministri Krasniqi e ka bërë në takimin e radhës të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore, që u mbajt në Brdo të Sllovenisë.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ministra e zv.ministra të kulturës të vendeve tjera të Evropës Juglindore, si ai i Bullgarisë, Kroacisë, Rumanisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnjës, Shqipërisë, e të tjerë, si dhe Komisionerja e BE-së për Kulturë, Edukim dhe Rini, Androulla Vassiliou, drejtoresha gjenerale e UNESCO-s, Irina Bokova, si dhe drejtoresha për Demokraci në Këshillin e Evropës, Snezana Samarxhic – Markoviq.
Ministri Krasniqi tha se Serbia duhet të marrë shembull nga Gjermania që para disa ditëve ktheu në Kosovë shtatë artefakte që vite me parë ishin kontrabanduar.
“Unë e përsëris thirrjen tonë drejtuar autoriteteve në Beograd që të veprojnë në mënyrë parimore, dhe që sa më shpejtë të dy vendet tona të nisin procesin e kthimit të këtyre artefakteve në Muzeun e Kosovës. Nëse jemi të përkushtuar që të ndjekim parimet civilizuese evropiane, atëherë besoj se ky proces i kthimit nuk duhet të vonohet”, ka thënë Krasniqi në fjalën e tij, e gjatë së cilës kohë delegacioni serb, i prirë nga ambasadori në Slloveni, Aleksandar Radovanovic ka lëshuar takimin.
Delegacioni serb është kthyer në takim pas përfundimit të fjalës së ministrit Krasniqi duke reaguar rreth kërkesës për kthim të artefakteve. Ambasadori serb nder tjera tha se kërkesa për kthim të artefakteve përben një politizim të trashëgimisë kulturore, e me këtë rast ministri Krasniqi deklaroi duke thënë se kërkesa për kthimin e artefakteve është parimore dhe aspak politike’.
Ai po ashtu deklaroi se nuk ka vend me të mirë se sa në Këshillin e Ministrave të Kulturës të EJ-së të shtrohet kjo çështje, pasi pikërisht kjo është nisma ku vendet e rajonit punojnë për bashkëpunim rajonal dhe për respektimin e diversitetit kulturor, si një vlerë të përbashkët.
Gjatë fjalës së tij, ministri Krasniqi ka shprehur kënaqësinë që për herë të parë Kosova po përfaqësohet në këtë takim, ani pse si vëzhguese, por ka kërkuar dhe ka shprehur besimin se Kosova në takimin e ardhshëm të jetë anëtare e plotë e Këshillit. Me këtë rast ai shprehu kërkesën që Kosova të jetë anëtare e barabartë e çdo nisme rajonale e ndërkombëtar për kulturën dhe trashëgiminë.
Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Shqipërisë, Suzana Turku ka shprehur kënaqësinë për prezencën e Ministrit Krasniqi në këtë takim duke thënë se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Ministrave të Kulturës të EJ-së, e po ashtu kjo nismë rajonale të zgjerohet sa më shumë.
Në margjina të takimit, ministri Krasniqi kaq pasur takime me homologë të tij si me atë të Sllovenisë, Uros Grilc, Kroacisë, Andrea Zlatar Violiq, Mali të Zi, Branislav Micunovic, si dhe Zv.ministren e MTKRS-së së Shqipërisë, Suzana Turku, me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe iniciativa konkrete që shkojnë të mirë të zhvillimit të kulturës, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë.
Në takimin e Këshillit të Ministrave të Evropës Juglindore temë kryesore ka qenë bashkëpunimi rajonal në fushën e kulturës dhe edukimit rreth artit dhe trashëgimisë. Vendet anëtare kanë miratuar një deklaratë që thërret për bashkëpunim rajonal në fushën e kulturës, edukimit dhe turizmit në këtë aspekt. Po ashtu deklarata bën thirrje për një unifikim të të gjitha platformave ekzistuese të bashkëpunimit rajonal në këto dy fusha. Në përfundim të takimit presidenca e Këshillit i ka kaluar Maqedonisë.
Këshilli i Ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore është një organizatë ndërqeveritare bashkëpunimi, e krijuar nga 11 shtete më 31 mars 2005, në Kopenhagë. Qëllimi i CoMoCoSEE është forcimi i bashkëpunimit rajonal kulturor si dhe ruajta e trashëgiminë kulturore. /Indeksonline/