Dodik: Izetbegoviq fajtor për luftën në Bosnje

Kryetari i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, ka thënë gjatë dëshmisë së tij në Hagë në mbrojtje të Radovan Karaxhiq, se për luftën në Bosnje e Hercegovinë është fajtor Alija Izetbegoviq.
Dodik ka fajësuar aspiratat e supozuara të muslimanëve, për krijimin e një shteti islamik në Bosnje në fillim të viteve të nëntëdhjeta, si argument për luftën në këtë shtet, transmeton Rel.
Gjatë dëshmisë së tij në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë, Dodik si dëshmitar i mbrojtjes tha se që në fillim Alija Izetbegoviq kishte thënë se Bosnja duhet të jetë një shtet islamik sipas ligjit të shariatit, e që kjo deklaratë “u bë themeli i i luftës së ardhshme në Bosnje.”
Ish-presidenti i Bosnjes e Hercegovinës Izetbegoviq ka vdekur në vitin 2003 derisa Gjykata e Hagës po hetonte rolin e tij gjatë luftës 3 vjeçe në Bosnje.
Ish-presidenti i Republikës Serbe të Bosnjes Radovan Karaxhiq, akuzohet për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij në luftën e 1992-19995 në Bosnje./Indeksonline/