E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi mund të largohet nga PDK, nëse nuk ndodhin reformat

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Krasniqi, ka paralajmëruar mundësinë e largimit nga partia e tij, nëse reformat nuk ndodhin, pasi që sipas tij, në PDK ka deputetë që janë me vota të vjedhura.

Ai po ashtu ka thënë se Kryeministri Thaçi ka gabuar me deklarimet e tij pro bisedimeve politike.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në emisionin Rubikon të KTV-së, ka folur për situatën në partinë e tij dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga partia por gjithashtu, ka kërkuar edhe deklarim të kryeministrit Thaçi, pas skandaleve të Grandit dhe aferave të tjera të kabinetit të tij, për të cilin ka thënë se nuk është mbret.

Njëherësh kryetari i Kuvendit, ka thënë se ndryshimet në partinë e tij, sidomos në rritjen e demokracisë së brendshme, janë të lidhura ngushtë me qëndrimin e tij në parti.

Krasniqi ka thënë se në PDK, ka deputetë që janë me vota të vjedhura, e që kanë ardhur në parti, pa konsultime me kryesinë e partisë.

Në varësi të rrethanave, i pari i legjislativit, ka thënë se mund të jetë kandidat për pozitën e të parit të partisë.

Për aferën e “Grandit”, Krasniqi, ka thënë se shefi i qeverisë, duhet të thyejë heshtjen dhe të flas për këtë punë, pasi që në kabinet, ka njerëz që sipas tij, janë marrë me krim të organizuar.

Ai ka thënë edhe për procesin e privatizimit, duhet bërë një bilanc i deritanishëm, pasi nuk mund të shiten asetet e mbetura të Kosovës, me këtë klimë, ka shtuar Krasniqi.

Deklaratat pro dialogut politik me Serbinë, të bëra nga kryeministri Thaçi, kryetari i Kuvendit tha se janë të gabuara.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›