E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi pret drejtësi pa përzierje të politikës në Rastin Limaj

Nga Express më 23 shtator 2011 në ora 13:23

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se pret që drejtësia ta kryejë punën në mënyrë të pavarur pa u ndikuar nga politika. Ai ka theksuar se vendimet e gjykatës duhet të jenë mbi bazën e fakteve, e jo mbi baza politike.

Ai këto komente i bëri të premten i pyetur për rastin e shqiptimit të arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për deputetin Fatmir Limaj.

“Realisht, mendoj që krejt çka kam pas të them për këtë rast dhe rastet e ngjashme e kam thënë publikisht dhe kam fol me argumente. Tani kemi një vendim të gjykatës dhe si institucione dhe si njerëz që ia duan të mirën këtij vendi dëshirojmë që gjykatat në Kosovë të jenë të pavarura, të marrin veprime të drejta dhe mbi bazën e dëshmive dhe fakteve, por jo mbi baza politike. Derisa në sistemin e drejtësisë ndërhyn politika, pra për fat të keq ajo ka ndërhyrë gjithnjë, rrezikohet funksionimi normal i sistemit të drejtësisë dhe i gjyqësisë. Ne dëshirojmë që gjyqësia të jetë e pavarur ne dëshirojmë që gjyqësia të merr vendime të pavarura dhe konform fakteve dhe dëshmive që i ka duke i respektuar ligjet që i kemi në fuqi", ka thënë Krasniqi.

I pyetur nëse po ndikon politika vendore apo ajo ndërkombëtare, Krasniqi ka thënë se tani është përzier politika dhe nuk po dihet çka është vendore e çka ndërkombëtare.
Gjykata e Qarkut në Prishtinë mbrëmë i ka caktuar një muaj arrest shtëpiak deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limajt, lidhur me rastin Kleçka.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›