E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plan për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbëruara

Nga Express më 22 shtator 2011 në ora 14:48

Në Mitrovicë ka hapësira të gjelbëruara, por si problem përmendet mirëmbajtja e këtyre hapësirave. Kështu u vlerësua të enjten gjatë takimit të një grupi ekspertësh për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërua.

Lidhur me këtë, me mbështetje të USAID-it ka nisur puna për përgatitjen e një plani për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbëruara.

Besim Kurti, këshilltar rajonal i USAID-it në Mitrovicë, tha se paraprakisht është formuar një grup punues i përbërë nga zyrtarë të komunës, të cilët do të punojnë për përgatitjen e një plani për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërua. “Hartimi i një plani të tillë, që pritet të mbështet për realizim nga USAID-i, është përzgjedhur si prioritet nga kryetari i komunës”, ka thënë Kurti.

Lidhur me këtë prioritet, vetë kryetari i komunës, Avni Kastrati theksoi se Mitrovica ka trashëguar një gjendje të rëndë në fushën e ambientit. “Në komunën tonë ka nevojë për investim në fushën e ambientit dhe domosdoshmëri është mirëmbajtja e hapësirave të gjelbëruara”, tha Kastrati.

Në anën tjetër, duke folur për gjendjen aktuale të hapësirave të gjelbërua, drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, tha se në Komunën e Mitrovicës është investuar shumë në krijimin e hapësirave të reja të gjelbëruara. Mirëpo, vazhdoi ai, ka nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme për këto vende, meqë gjendja e tyre nuk është e mirë. Ai përmendi si ide rregullimin e një sistemi të ujitjes me ujë industrial në pjesën më të madhe të rrugëve të qytetit. Sipas tij, kjo është shumë e realizueshme dhe krijon mundësi të mëdha për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbëruara.

Drejtori Veseli, tha se pos krijimit të mundësisë për ujitje të vazhdueshme, nëpër rrugët kryesore të qytetit nga gypi që do të shtrihej andej do të mund të rregulloheshin edhe hidrantë, të cilët do të shërbenin për pastrimin e rrugëve.

“Kjo do të kursente ujin e pijes dhe do të mundësonte pastrimin e rrugë në mënyrë shumë më praktike”, tha ai.

Poashtu, ai tha se kjo formë do të ofronte mundësi të ballafaqimit më të lehtë edhe me rastet eventuale të zjarreve në objektet e ndryshme skaj rrugëve.

“Nga hidrantët që do të rregulloheshin në rrugët kryesore ku do të shtrohej gypi më ujë industrial, zjarrfikësit do të kishin në dispozicion ujë të mjaftueshëm për ballafaqim me zjarre eventuale”, ka thënë Veseli.

Pjesëmarrësit në takim u pajtuan që në grupin punues për përgatitjen e një plani për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbëruara, të përfshihen edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë që do të ndihmonin në këtë drejtim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›