E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi s’e mbështet rezolutën për krimet e komunizmit

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e ka quajtur personale kërkesën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, për të miratuar në Kuvend një rezolutë që do të dënonte krimet e komunizmit.

Miratimi i një rezolute të tillë, sipas fjalëve të Krasniqit, nuk do të jetë pjesë e agjendës e legjislativit të vendit. Një rezolutë e tillë ishte tërhequr një vit më parë nga procedura e miratimit në Kuvend, besohet pas presionit të ndërkombëtarëve.

Kryeparlamentari Krasniqi, sot në një prononcim për gazetarë, e vlerësoi kërkesën e Hasanit si tërësisht personale, e jo qëndrim të Kuvendit apo të partisë.

Ai ka thënë se nuk ka ndonjë rezolutë apo material që do të mund të shtrohej për debat në kuvend, për është një padi që tashmë ka shkuar në gjykatë. “Obligimi ynë është të bëjmë ligje, jo të merremi me histori”, ka theksuar Krasniqi, transmeton KosovaPress.

Ndërkohë përfaqësuesit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend kanë qëndrime të ndryshme nëse duhet të shtrohet çështja e dënimeve të krimeve të komunizmit nga Kuvendi, apo jo.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, nuk ka dashur të flasë në emër të grupit, derisa nuk është diskutuar një çështje e tillë në kryesi apo në grup parlamentar, mirëpo nuk ka hezituar ta quajë partinë e tij si më antikomunisten në Kosovë.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, shprehet në mënyrë kategorike kundër marrjes me krimet e komunizmit, duke e konsideruar si humbje kohe një gjë të tillë.

Ai që shprehet në favor të nxjerrjes së rezolutës që dënon krimet e komunizmit, është shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, i cili në janar të vitit 2009 kishte kërkuar që të shtrohet kjo çështje në Kuvend, mirëpo kërkesa e tij është mbivotuar nga shumica parlamentare.

Të hënën, deputeti i PDK-së Nait Hasanit, ka paraqitur një listë prej 31 ish-funksionarësh të lartë të Kosovës në kohën e Jugosllavisë, ndaj të cilëve ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Kosovës dhe Prokurorinë e EULEX-it për krimet e kryera gjatë kohës së komunizmit në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›