E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi:Për zgjidhjen e problemit të veriut, Plani i Ahtisarit

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi deklaroi se për zgjidhjen e problemit të veriut, plani kryesor është ai i Ahtisarit. Nuk mund të ketë plan më i mirë se ai. Këto komente, Krasniqi i bëri pas mbledhjes së Kryesisë, në të cilën u caktuan dy seanca, njëra për të enjten, tjetra për të hënën, në të cilën do të ketë debat parlamentar lidhur me procesin e privatizimit

Plan më të mirë për integrimin e veriut të Kosovës, se Plani i Ahtisarit, nuk ka. Kështu ka thënë kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke shtuar se tani përgjegjësinë kryesore për veriun e kanë institucionet e Kosovës. Megjithatë, Krasniqi tha se çdo veprim në këtë pjesë do të jetë në koordinim me faktorin ndërkombëtar, prezent në Kosovë.

“Unë jam i bindur që projektin Kosova e ka dhe projekt më të mirë për komunitetet nuk kemi as në rajon as në vendet e BE-së dhe është një dokument gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, i njohur si Plani Ahtisari”, tha Krasniqi, transmeton RTK.

Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë, sipas Krasniqit, nuk ka ndikuar aq në punën e Kuvendit, për faktin, se siç tha ai, gjithnjë vendimet e mëdha janë marrë me shumicë votash.

Unë mund të them që Kuvendi i Kosovës si institucion ka qenë i pavarur gjatë gjithë këtyre dy mandateve të fundit”, tha Krasniqi.

I pyetur se kur do të procedohen në Kuvend ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit, kryeparlamentari Krasniqi tha se kjo do të ndodhë, atëherë kur partitë politike të përfaqësuara në Kuvend janë të gatshme për një gjë të tillë.

Kreu i legjislativit, i bëri këto komente, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u mor vendim që të enjten të mbahet seanca e rregullt, ndërsa të hënën të mbahet seancë me debat parlamentar, me kërkesës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›