Kredencialet e Shqipërisë në KE, “budallallëku” i Kastriot Islamit, dhe “njolla” e Mimi Kodhelit

“Shumë zhurmë për asgjë”.
Kështu mund të perifrazohet e gjithë ajo dallgë dalldisjesh të Kastriot Islamit, Valentina Leskajt, etj., etj., për “fatin” e Aleksandër Biberajt në Këshillin e Evropës. Dhe pas kësaj, edhe Mimi Kodheli, më shumë se kushdo nga gjithë zhurmëmëdhenjtë e PS-ës, ka gjithë të drejtën të ndjehet jo vetëm krenare, por edhe e “pa njollosur”, pse që dje Këshilli i Evropës konfirmoi se “ia hoqi njollën”, që me sa duket që nga e hëna e kësaj jave ishte (jo)vetëm në mendjen e zëdhënëses së Kryesisë së PS-ës.
Argumenti kryesor, që rëndom ishte prezent këtë javë në ambientet mediaktike, i pompuar nga një deputet i zëvendësuar i PD-ës, u rimor dhe u rimor nga drejtues të PS-ës, lidhej me riformatimin e pjesës së deputetëve të PD-ës në delegacionin shqiptar të Këshillit të Evropës. Pa qenë aspak nevoja, por për më tepër pa qenë të cenuar, pra jashtë gjithë interesit të mundshëm, të hënën e kësaj jave Kastriot Islami nga Strasburgu bënte të ditur nëpërmjet telefonit se, “ngrijnë’ kredencialet e Shqipërisë dhe se delegacioni shqiptar nuk ka të drejtë tanimë të marrë pjesë e të votojë në Asamble...”.
Megjithëse deputetja Arenca Trashani, një bashkanëtarë tjetër e të njëjtit delegacion me Kastrito Islamin e quajti “budallallëk” këtë deklaratë, rrallëkush ia vuri veshin. Prirja për të besuar Kastriot Islamin, ishte më e madhe se prirja për të bërë edhe gjënë më minimale, verifikimin e këtij “budallallëku”.
I mësuar me këtë (anti)prirje, telefonata e Kastriot Islamit nga Strasburgu, bënte të ditur më tej se ky “fat i keq” lidhej me zëvendësimin e Aleksandër Biberajt me Ilir Rusmalin.
Sikur të ishte vetëm kaq, hajde, edhe mund të ishte anashkaluar ajo “zhurma për asgjë”. Por, Kastriot Islami, sikur ta kishte shtyrë shejtani lëshoi edhe broçkullën (ndoshta edhe budallallëkun) tjetër, se, “dy bashkëraportues do të bënin një vizitë rrufe në Tiranë për çështjen e ‘Biberajt’”.
Dhe fraza legjendare, e mbushur me shumë besim në vetvete se, “kjo shihet si një goditje e rëndë e imazhit të Shqipërisë”, mjaftoi që në kuzhinat e mediave shqiptare të jepej alarmi, a thua se deri para të hënës, imazhin e mirë të Shqipërisë që me sa duket paska ekzistuar për deri sa e paska njohur edhe Kastriot Islami, ishte vepër apo fryt i emërimit të Aleksandër Biberajt në krye të delegacionit shqiptar në KE.
Dhe si te ajo shprehja frazeologjike “hedh një gur budallai në lumë dhe mblidhen gjithë të zgjuarit për të gjetur ‘pse’-në”, menjëherë filloi gara e grave në PS. Me radhë njëra pas tjetrës, Mimi Kodheli në emër “të politikës së re” dhe Valentina Leskaj në emër “të parimeve, jo të emrave”, vunë kujën pse imazhi i mirë i Shqipërisë pa Aleksandër Biberajn, nuk ekzistonte tani e tutje.
Kjo panoramë ishte prezentë ditën e hënë.
Të martën e në vazhdim Mimi Kodheli dhe Valentina Leskaj nuk u ndjenë për fatin e Biberajt apo imazhin e Shqipërisë, sepse kuptuan se Kastriot Islami, vërtetë kishte thënë budallallëqe, sa dhe si ia kishte dashur qejfi. Të martën dhe në vazhdim, ishte Kastriot Islami që sërish me telefon nga Strasburgu, “lëpinte ato që kishte pështyrë” një ditë më parë, ndërsa mediat amplifikatorë të çdo “budallallëku” opozitar përpiqeshin të rregullonin imazhin e tyre, që dhe një herë ju vajti në fund...
Ndoshta me besimin e patundur se ishte ish-kryetari i delegacionit shqiptar në KE, ai që kishte rregulluar imazhin e Shqipërisë, mediat imazhrëna shqiptare, sikurse vihet re këto ditë, kanë zgjedhur, jo aq rastësisht, imazhin e Aleksandër Biberajt në tentativën për ringritjen e imazhit të tyre.