E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takohet me presidentin Klinton dhe njeriun e besuar të presidentit Obama

Axhendë e nivelit më të lartë për Kryeministrin Sali Berisha, gjatë samitit të Davosit. Presidenti Bill Klinton premtoi vizitën e shpejtë në Tiranë, ndërkohë që në takimin me miliarderen Pritzker, shefja e financave në stafin elektoral të presidentit Obama, konfirmohet bashkëpunimi i ngushtë me administratën e re amerikane

Lajmi publikohet pas takimit me kryeministrin turk, Erdogan

Shqipëria do të jetë njëra nga pikat fundore të naftësjellësit Nabucco, që do ta çlirojë Evropën nga varësia ruse

Leonard Quku

TIRANE - “Forumi i Davosit po demonstron një vendosmëri për të gjetur rrugë për daljen nga kriza ekonomike globale. Mësimet e krizës financiare botërore duhet të transformojnë shoqërinë, individin dhe rregullat në mënyrë që bota të përgatitet për ekonominë dhe financat e shekullit të 21”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha nga Davosi, në një prononcim të posaçëm për Televizionin Publik Shqiptar, duke vënë theksin se Forumi Ekonomik Botëror është duke dëshmuar një vendosmëri të pashoqe për gjetjen e rrugëve për të dalë nga kriza financiare që përjetojnë aktualisht tregjet botërore.
Sipas kryeministrit, po zhvillohen diskutime për të gjitha aspektet e krizës, ndërsa ka një qëndrim të përbashkët se kjo krizë kërkon një përballje të hapur. “Siç shihet, ka një interes të jashtëzakonshëm për forumin. Ajo që spikati dje dhe sot është një vendosmëri e pashoqe për të gjetur rrugët për të dalë nga kjo krizë. Po zhvillohet një diskutim i shumanshëm i të gjitha aspekteve të saj dhe ajo që mund të them deri tani është se, në tërësi, ka një sintoni në qëndrimin se kjo krizë kërkon një përqasje të hapur”, tha Berisha.
Duke folur për sesionin ku foli ish-Presidenti Klinton, Berisha tha se ai parashtroi se “nga kriza dilet duke ndihmuar njëri-tjetrin”.
“Është e domosdoshme që programi i Presidentit Obama të mbështetet nga vendet e tjera, duke blerë bonot e thesarit në interesin e tyre më të mirë, që Amerika të rrisë kapacitetet e saj importuese. Pra, po studiohen të gjitha aspektet e krizës”, shtoi kryeministri. Ai vlerësoi si shumë të rëndësishme seancën e ish-Presidentit Klinton, “pasi ai garantoi audiencën dhe botën se Presidenti Obama do të çojë përpara procesin e zgjidhjes së krizës financiare në SHBA dhe u shpreh me nota të qarta optimiste”. “Sigurisht, në këtë diskutim, si në çdo diskutim tjetër, së pari kërkohen rrugët më të mira për të dalë nga kriza, së dyti masat që duhen marrë që kriza të parandalohet”, shtoi Berisha. Ai veçoi si diskutime të shkëlqyera ato në seancën e ish-Kryeministrit Tony Bler, Presidentit të Izraelit, Shimon Perez, ku u fol gjerësisht për vlerat e tregut dhe në tërësi u shpreh dëshira dhe shpresa për të dalë nga kjo krizë, e cila ka ulur prodhimin botëror në nivelin e 60 viteve më parë dhe ka bërë të zhduket rreth 50 % e pasurive aktuale, për shkak të fuqisë që kanë pasur tregu i kapitaleve dhe kreditë financiare në botë.
“Mësimet e kësaj krize duhet të transformojnë shoqërinë, individin dhe rregullat, në mënyrë që bota të përgatitet vërtetë për ekonominë dhe financat e shekullit të 21, vuri në dukje”, kreu i Ekzekutivit shqiptar.

Takimi me Klinton dhe Pritzker
Për sa i takon takimit me ish-Presidentin Klinton, Berisha tha se “pata kënaqësinë e madhe, pasi në takimin e parë më kishte premtuar se do të zhvillonte një vizitë në Shqipëri dhe më riafirmoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e tij për të vizituar Shqipërinë në kohën sa më të shpejtë të mundshme për të”.
“E sigurova se pritet si një hero kombëtar nga të gjithë shqiptarët, për atë që ai ka bërë për lirinë e tyre”.
Duke folur për takimin me Penny Pritzker, një nga njerëzit më të afërt të Presidentit Obama dhe shefe ekzekutive e një kompanie shumë të madhe në fushën e hoteleve dhe turizmit, kryeministri Berisha tha se diskutuam gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri, mbi dëshirën e flaktë të qeverisë shqiptare për të çuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera që ka me Shtetet e Bashkuara. “E njoha me reformat e mëdha që kemi ndërmarrë, me kontributin e projekteve të Millenium Challenge Account Coorporation dhe USAID-it në luftën kundër korrupsionit dhe në modernizimin e sistemit tonë të prokurimeve, sistemit të regjistrimit të bizneseve, sistemit të vjeljes së taksave dhe projekteve të ardhshme, sikurse e njoha me të gjitha përpjekjet e qeverisë për të krijuar një klimë sa më të favorshme për biznesin dhe e ftova që kompania e saj të vijë në Shqipëri për të investuar në turizëm apo në çdo fushë që do të ketë interes”, nënvizoi Berisha.

Takimi me Kryeministrin turk Erdogan
Në vijim të punimeve të Forumit ekonomik të Davosit, kryeministri Sali Berisha pati një takim edhe me kryeministrin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Gjatë bisedës të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe rikonfirmuan gatishmërinë dhe angazhimin e tyre, për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat, duke iu  përgjigjur nivelit të lartë të  miqësisë tradicionale mes dy popujve.
Kryeministri Berisha e njohu homologun e tij turk me ecurinë e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke u ndalur në veçanti në krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe mbështetjen e tij përmes lehtësimit të procedurave, politikës së taksave të ulëta, projekteve të rëndësishme infrastrukturore, që ndihmojnë zhvillimin e sipërmarrjeve në Shqipëri, etj..
Kryeministri Berisha e falënderoi Erdogan për inkurajimin që ai dhe qeveria e tij u kanë bërë investitorëve turq për të ardhur në Shqipëri, duke evidentuar faktin se investitorët turq janë të njohur tashmë për suksesin e tyre në tregun shqiptar.
Të dy kryeministrat ndanë të njëjtin mendim se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve po ecin me shpejtësi. Në këtë kontekst, ata u ndalën edhe në çështjen e gazsjellësit. Kryeministri Erdogan premtoi se ai dhe qeveria e tij do të përdorin të gjitha mundësitë që gazsjellësi të kalojë nëpër Shqipëri.
Gjithashtu, të dy personalitetet diskutuan edhe për çështje që kanë të bëjnë me proceset integruese të Shqipërisë, ku kryeministri Erdogan ritheksoi edhe një herë mbështetjen e plotë të Turqisë për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO.

Takim me kreun e FAO-s, Jacques Diouf
Kryeministri Sali Berisha u takua edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, Jacques Douf, të cilin e cilësoi “një mik i vjetër i imi dhe një mik i Shqipërisë”.
Drejtori i Përgjithshëm i FAO, Diouf, tha se kishte ndjekur me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe ishte i impresionuar nga sukseset e qeverisë shqiptare, veçanërisht në fushën e infrastrukturës, por dhe në fusha të tjera të rëndësishme të ekonomisë.
Kreu i qeverisë e njohu Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Agrikulturën, Jacques Diouf, me reformat që po ndërmerr  qeveria shqiptare në të gjitha fushat, veçanërisht me reformat ekonomike, krijimin e klimës së favorshme për biznesin, ndjekjen e politikës së uljeve të taksave, investimet e mëdha në infrastrukturë, etj. Kryeministri tha se infrastruktura rrugore po ndërtohet në mbarë Shqipërinë dhe për këtë, 32 për qind e buxhetit shkon për investime në rrugët e vendit, pasi zhvillimi i infrastrukturës ndihmon bizneset dhe fermerët e vendit dhe rrjedhimisht, zhvillimin e bujqësisë.
Gjithashtu, qeveria shqiptare po investon shumë në ndërtimin e rrjeteve moderne të ujitjes,si një sektor prioritar për bujqësinë, ndërkohë që po ndiqen politika të përdorimit të ekonomizuar të sasive ujore.
Kryeministri Berisha theksoi se një nga projektet më të mëdha në mbarë vendin, e ndërmarrë së fundi nga qeveria, është mbjellja e fidanëve të ullirit. Shqipëria, tha Kryeministri, është një vend me 400 km bregdet, një pjesë e madhe e të cilave mund të shfrytëzohen për kultivimin e ullirit. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha tha se do të ishte shumë e vyer ndihma dhe eksperienca e Organizatës Kombeve të Bashkuara për Ushqimin. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që ajo të kthehet në një vend prodhues në rajon, për vajin e ullirit dhe derivatet e tij.    
Nga ana e tij,  Diouf theksoi se ndihma e FAO-s për Shqipërinë do të jetë konkrete dhe do të nisë me dërgimin e një misioni në Shqipëri, për të diskutuar me të gjitha departamentet dhe ekspertët përkatës, për të përcaktuar fushat e bashkëpunimit dypalësh.
Gjithashtu, FAO do të financojë disa projektet pilot për të ndihmuar konkretisht zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri, si dhe do të vendoset lidhja me Qendrën e Investimeve të FAO-s, e cila do të financojë një studim fizibiliteti të mbarë territorit të Shqipërisë, për të evidentuar resurset e vendit dhe hapësirat e duhura për zbatimin projekteve.
Kryeministri Berisha e ftoi Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin për të zhvilluar një vizitë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga Diouf. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›