SHBA kërkon paanshmëri për krijimin e ushtrisë kosovare
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tina Kaidanou, ka deklaruar se procesi i krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është zhvilluar sipas kritereve e standardeve të NATO-s, duke kërkuar që kjo çështje të mos shfrytëzohet për arsye politike apo personale. Ajo vlerësoi se këndvështrime të tilla do të dëmtonin imazhin e Kosovës dhe të forcës së saj të sigurisë. “Njerëzit mund të japin dorëheqje dhe mund ta bëjnë këtë për arsye të ndryshme, mund të jenë personale apo mund të jenë të pakënaqur me rolin që u është caktuar, por në anën tjetër një ndërtim i arsyeshëm i kësaj Force të Kosovës është mëse i rëndësishëm dhe për këtë duhet që të gjithë të kontribuojnë dhe të mos krijojnë më shumë telashe nga ç’kemi nevojë për to”, tha Kaidanou në një intervistë për kanalin RTK. Përfaqësuesja e SHBA-së i cilësoi si të panevojshme edhe diskutimet në Kuvendin e Kosovës për dosjet e komunizmit. Ajo shtoi se ka mendim të prerë për këtë çështje. “Nuk është mirë që njerëzit të diskutojnë gjëra që i takojnë ekskluzivisht së kaluarës... Nuk është e dobishme që të merremi për të keq me bëmat historike të një pale apo tjetre, apo që ato t’i shfrytëzojmë për ndonjë gjë të caktuar për të rrezikuar baraspeshën politike të Kosovës”, tha Kaidonou. Ajo shpreson që deputetët kosovarë do ta lënë anash këtë çështje, sepse “nuk është produktive dhe si e tillë është dëshmuar edhe në Shqipëri dhe vende të tjera”. Ndërkaq, duke folur për pozitën e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe njohjen e pavarësisë, ambasadorja e SHBA-së vlerësoi se Kosova ka arritur progres shumë të madh në këtë drejtim, shtetet më të fuqishme ekonomike tashmë kanë njohur shtetin e Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në FNM do të ishte i rëndësishëm. “Gjithsesi, do të ketë njohje të reja”, tha zonja Kaidanou, duke shtuar se ato do të varen nga vetë përpjekjet e Kosovës, por SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën, duke premtuar se “nën administratën e re të Obamës do të ketë mbështetje edhe më të madhe për Kosovën”.