E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresë dhe dinjitet

Edmond Arizaj 

Janë dy elementë që mungojnë kaq shumë sot në Shqipëri. Dhe ende nuk kemi marrë një garanci serioze se do të na rikthehen një ditë. Prej '92, pas çdo katërvjeçari shpresat sa kanë ardhur e janë venitur, me ndonjë përndritje të lehtë tek-tuk nëpër vite të veçanta. Dhe në fund të çdo mandati qeverisës, e në vigjilje të së riut, sërish shpresohet, megjithëse shumë më pak besohet. Nuk besohet më sepse janë të njëjtat silueta që sorollaten lart e poshtë Shqipërisë, veçse pak më të mbushura, ndonjëra shumë më e qeshur, e ndonjë tjetër bën si më serioze. Shpresa e tyre, nuk është t'i besojnë njerëzit Ata shpresojnë që njerëzit të mos shpresojnë tek askush dhe asgjë tjetër, sepse kjo do të ishte pyetja për sfinksin. Ky do të ishte fundi real i tranzicionit të pafund dhe fatkeq shqiptar. Njerëzit, në rrokopujën politike të siluetave mbërthyer prej vitesh në kolltuk, do të shihnin dhe ngjalljen e shpresës së tyre, çlirimin nga ëndrra mbytëse.
Sali Berisha, çfarë shprese i jep këtij vendi? Ky njeri kishte shansin më të madh, që ndonjë shqiptar ka pasur ndonjëherë prej kohës së Gentit. Të gjithë shtetarët i kishte me vete. Të gjithë botën e kishte për vete. Të gjithë Shqipërinë e kishte pas vetes. Ai, një ish-komunist i fermentuar mirë, shihej si shpresa e një vendi, por shumë shpejt u kthye në tragjedinë e tij. Dhe vazhdon prej vitesh ta vrasë grimcë pas grimce shpresën e shqiptarëve. Minutë pas minute, e qeshura e tij mpak dhe boshatis shpirtin e shumëkujt. Në mes gënjeshtrave gjigande, sërish kërkon të jetë ai pishtari i shpresës.
Edi Rama, çfarë shprese i jep këtij vendi? Asnjë, deri tani. Në kaq muaj e ditë, me dhuratën më të bukur që i kanë bërë ndonjëherë, Partinë Socialiste, i ka thënë vetëm dy fjalë njerëzve të këtij vendi: Me mua do të jeni më mirë. Të verbrit duhet vetëm të besojnë, sepse për të shpresuar nuk u është dhënë asnjë shans. Nuk kanë asnjë ide, asnjë premtim, asnjë platformë, asnjë aksion, asnjë linjë, asnjë përqasje, se si do të jetë më mirë me "këtë tjetrin", se si do të bëhet më mirë. Dhe pse duhet shpresuar tek ky tjetri. Për shkak të pemëve të mbjella tash së fundmi (a thua s'ka pasur fidanishtja katër vjet). Edhe ky kërkon të jetë pishtari i shpresës shqiptare, por vetëm me fjalë të bukura. Vërtetë nuk ka mbi supe aq gjynahe sa i pari, por mund ta arrijë shumë shpejt. Mbi të gjitha nuk qesh, rrallë edhe buzëqesh.
Këta të dy i kanë marrë dinjitetin këtij populli dhe kërkojnë t'i japin shpresën.
Jo më shumë se pak ditë më parë, nuk votuan statusin për minatorin. Ata njerëz atje kanë ulur kokën. Janë kthyer në të vdekur që flasin, hanë, bisedojnë, treten e më pas I zë galeria brenda, pa ankesa. Kujt??? Atyre ua kanë marrë dinjitetin. Mendojnë vetëm të rrisin fëmijët sa më shpejt, sepse fatin ua kanë shkruar të tjerët. Statusin e deputetit e kanë miratuar dhe mirë madje, pak rëndësi kishte kush ua solli në tavolinë. 
Nisën procedurat për kartat. Vetëm një populli të rrahur e të mësuar me dhunën, të cilit ia kanë shpërbërë dinjitetin, mund ta kërcënosh për të marrë shërbimin, të cilin ti qeveri i detyrohesh prej vitesh. Berisha qesh, teksa çdo minutë reklamat përsërisin sanksionet që do të ndërmerren po nuk bëre aplikimin. Dhe njerëzit venë si delet nëpër radhë, me orë e me orë, duke pritur pa zë t'u thërrasin emrin, si dikur nazistët hebrenjve. Ndërsa "ky tjetri", sërish pa qeshur, tani u kujtua, se kartat mund të kenë edhe hilet brenda. Se mund edhe të mos pajisen të gjithë shtetasit. Se mund të rrezikohen sërish zgjedhjet normale.  
Berisha i ka marrë dinjitetin ish të persekutuarve dhe ish-pronarëve. Rama u ka marrë dinjitetin gazetarëve. Jo drejtorëve. Gazetarëve.
Berisha i talli ish të persekutuarit dhe pronarët. I talli paq. Për vite me radhë. I përdori sa deshi, i shtrydhi sa i duheshin, u qeshi ndër sy, e tanimë as i përmend më.
Rama i ndyn gazetarët. Rëndë dhe egër. Me tone aspak të hirshme. I ofendon e i fyen. U skërmitet ndër sy. Për vite me radhë gazetarët për të kanë qenë ca shërbëtorë pa pikën e dinjitetit, që duhet të bëjnë çka i duhet atij dhe duhet të rregullojnë nesër, atë çka atij iu duk keq sot.
Por dinjiteti u ka humbur të gjithë shqiptarëve. Jo vetëm banorëve të Gërdecit. Sepse njëri vrau 26 njerëz, 26 bashkëpatriotë dhe tjetri ia rrahu shpatullat, e pak ditë më vonë e ndihmoi për ndryshimin e Kushtetutës, duke ia bërë më të lehtë punën. Dhe asnjë prej tyre nuk i dha llogari qytetarëve.
Secili prej tyre në çdo ditë që kalon rrëmben pak nga shpresa jonë dhe varros akoma më thellë dinjitetin tonë, por edhe rrit kreditet e veta e të njerëzve të vet. Askush prej tyre nuk xixëllon sadopak shpresë e aq më pak dinjitet. Në një kohë kur na duhet më shumë se kurrë.  
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›