E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredi për pajisjet që kursejnë energji

03/07/2009  Fondi Evropian për Evropën Juglindore i jep 5 milionë euro ProCredit Shqipëri

Nënshkruhet marrëveshja. Kushtet dhe përfitimet nga produkti i ri

Nëse keni nevojë për pajisje që kursejnë energjinë elektrike, ato mund t’i merrni edhe me kredi. Për herë të parë banka ProCredit do të ofrojë kredi për këto pajisje, një produkt i ri ky me qëllim promovimin e eficencës së energjisë në Shqipëri. Përfaqësues të Bankës ProCredit bëjnë të ditur se kredia do të ndihmojë familjet dhe bizneset në pakësimin e kostove të tyre të energjisë. Prezantimi i këtij produkti të ri bëhet i mundur nëpërmjet bashkëpunimit të ProCredit Bank Shqipëri dhe Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE). Këto dy institucione arritën marrëveshje për dhënien e kredive individuale me një shumë totale prej 5 milionë eurosh, nga ku 2 milionë euro për përdorimin me eficencë të energjisë dhe 3 milionë euro për kreditë rurale. Këto kredi i mundësojnë ProCredit Bank zgjerimin e shtrirjes së saj tek individët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht në zonat rurale. “ProCredit Bank ka qenë një partner afatgjatë në Shqipëri për më shumë se 14 vjet. Banka ka treguar një angazhim aktiv në mbështetjen e ndërmarrjeve shumë të vogla, të vogla dhe të mesme dhe prandaj ajo luan një rol thelbësor në nxitjen e sektorit privat në Shqipëri”, – u shpreh Mimoza Godanci, zv/drejtore e përgjithshme e ProCredit Bank. Kjo kredi është një vazhdimësi e angazhimit të EFSE për të mbështetur zhvillimin ekonomik në Shqipëri. “Të dy kreditë përfaqësojnë investime të rëndësishme për EFSE. Kredia rurale është për klientët bujqësorë të vegjël në zonat rurale, e cila është në vijë të drejtë me qëllimin e EFSE për të promovuar huadhënien rurale. Ne jemi shumë krenarë që jemi pjesë e këtij procesi”, - theksoi dr. Klaus Glaubitt, kryetar i Bordit të Drejtorëve të EFSE-s. EFSE ka angazhuar mbi 600 milionë euro për 55 banka tregtare, institucione mikrofinanciare dhe institucione financiare jo bankare për të kredituar 835 milionë euro në 166 mijë kredi për ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe të mesme dhe për familjet private me të ardhura të ulëta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›