E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia, afati mesatar i kthimit arrin në 44 muaj

Afati mesatar i kthimit të kredisë në vendin është 3 vjet e gjysmë, një nivel shumë i ulët në raport me vendet e tjera. Sipas një analize të Bankës Qendrore, zgjerimi i diferencës në maturim midis kredive dhe depozitave në fund të vitit që shkoi ka ardhur si rezultat i rritjes së maturimit të mbetur të kredisë me rreth 1 muaj, në krahasim me rritjen e maturimit të mbetur të depozitave me rreth 0.8 muaj. Në fund të gjashtëmujorit të dytë të vitit 2010, kredia paraqet një afat maturimi mesatar prej rreth 44.5 muajsh, nga 43.4 muaj një gjashtëmujor më parë. Ndërkohë, referuar të njëjtës periudhë, depozitat paraqesin një afat maturimi mesatar prej rreth 4.9 muajsh, krahasuar me 4.15 muaj në fund të gjashtëmujorit të parë. Diferenca e afateve të maturimit për kreditë dhe depozitat, deri në 12 muaj krijon një vlerë negative 43.9 miliardë lekë për bankat. Në një arsyetim të përgjithshëm, në një afat kohor deri në 12 muaj, do të thotë që një rritje e normës së interesit do të shkaktojë kosto neto shtesë për sektorin bankar, duke ndikuar negativisht në rezultatin e tij financiar, e rrjedhimisht edhe në treguesit e kapitalit, sqaron Banka e Shqipërisë. Megjithatë, përmasat e këtij ndikimi rezultojnë të kufizuara dhe nuk kërcënojnë mjaftueshmërinë e kapitalizimit të sektorit bankar, sipas analizës së ndjeshmërisë që është pjesë e ushtrimit të stress-testing. Ndërsa, pjesa më e madhe e depozitave në sistemin bankar gjatë vitit që shkoi janë vendosur me afat maturimi vetëm një muaj. Kjo tendencë është thelluar gjatë vitit që shkoi. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat e reja të pranuara nga sektori bankar në euro, në gjashtë muajt e fundit të vitit 2010, ishin 4.2 miliardë euro, duke qenë rreth 16.2% më të larta në krahasim me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009. Në lidhje me strukturën e maturimit të depozitave të reja në monedhën europiane, vërehet se depozitat me afat maturimi 1-mujor vazhdojnë të dominojnë depozitat e reja në euro, pavarësisht se shënohet rritje në depozitat e reja me maturim 6 dhe 12-mujor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›