E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia për biznesin transferohet nga konsumi në prodhim

SHKRUAN: Blerina Hoxha 02-05-2011 11:16

Kredia në sektorin bankar po pëson një transferim, nga konsumi në prodhim. Sipas një vëzhgimi të Bankës së Shqipërisë, analiza e shpërndarjes së kredisë së re, sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë, evidenton dy zhvillime kryesore. Së pari, rritje të peshës së kredisë së re, akorduar sektorit “të prodhimit, shpërndarjes së energjisë, gazit e ujit” në 10%, nga 5.4% krahasuar që ishte në vitin 2009. Së dyti, rënie e peshës së kredisë së re për sektorin e tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë në rreth 31%, nga 35%, që rezultoi në të njëjtën periudhë një vit më parë. Ekspertët në Bankën e Shqipërisë e shpjegojnë këtë qëndrim të ri të bankave me faktin se, sektorët e prodhimit e garantojnë më së shumti kthimin e kredisë. Sidomos investimet në energji shihen si kthime të sigurta. Bankat deri më tani nuk kanë qenë aktive në këtë sektor, por rritja e kërkesës nga biznesi për investime në gaz dhe energji i kanë bërë bankat me aktraktive në këtë drejtim. Kjo ka qenë edhe një këshillë më e hershme e ekspertëve të pavarur të ekonomisë, të cilët kanë rekomanduar bankat që të nxisin sektorët prodhues të ekonomisë. Kreditimi në prodhim përveç se, do të siguronte një kthim më të lartë të kredisë do të ndikonte në mënyrë më eficente, në rritjen ekonomike të vendit. Në një kohë kur sektori i ndërtimit është maturuar dhe tregtia e automjeteve është në rënie, bankat po shohin më të favorshme mbështetjen me kredi të energjisë, turizmit. Madje disa banka kanë nisur të ofrojnë produkte të posaçme për kreditimin e bujqësisë. Më parë këtë produkt kredie e ofronte vetëm një bankë. Por gjithsesi, bujqësia mbetet sektori më pak i favorizuar për kredi. Ndërkohë që subvensionet që ka dhënë qeveria për këtë sektor vitet e fundit kanë bërë që shumë fermerë të përfitojnë nga grantet e ministrisë së Bujqësisë dhe të mënjanojnë sportelet e bankave. Në harkun kohor prej 3 vjetësh, teprica e kredisë dhënë bizneseve është përqendruar në formën “overdraft”, ndërsa kredia e dhënë për “kapital qarkullues” ka shënuar rënie të peshës së saj ndaj totalit të tepricës dhënë bizneseve. Bankat duhet të kenë prioritet kredidhënie sipërmarrjet e mesme dhe të vogla, duke ndërruar në këtë mënyrë orientimin e kreditimit. Ndërsa Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, pak ditë më parë u kërkoi bankave që të mbështesin me më shumë kreditim sipërmarrjet të vogla dhe të mesme dhe të ofrojnë mundësi më të mëdha financimi në lekë. Pasi bankat e nivelit të dytë në traditën e politikave të tyre kanë kredituar biznesin e madh me shuma të mëdha, kryesisht në monedhën europiane, euro, me qëllim fokusimin në kontrollin e tyre e gjithashtu kanë lëvruar edhe kredi konsumatore, duke lënë në hije kredidhënien për biznesin e mesëm dhe të vogël. Në veprimtarinë e kreditimit, është e nevojshme të ketë një shpërndarje më të mirë sektoriale dhe një ekuilibër më të arsyeshëm, midis projekteve të investimeve publike dhe private, midis formave të kredidhënies në lekë ose në monedhë të huaj, duke e orientuar kreditimin në mbështetje të ekonomisë vendase, ka këshilluar Guvernatori.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›