Kredia për investime në turizëm u rrit me 23%

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Kredia për sektorin privat është zgjeruar me ritme të larta gjatë vitit 2024, duke reflektuar një kërkesë të lartë për financim nga sektori privat, kushtet e favorshme të financimit, si dhe gatishmërinë e bankave për të përmbushur këtë kërkesë.
Sipas raportit të publikuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë mbi tendencat e kreditimit vërehet se bankat kanë rritur financimin me ritme më të larta në sektorin e turizmit.
Kredia për sektorin e hoteleri-turizmit arriti në 447 milionë euro në fund të muajit nëntor 2024.
Me bazë vjetore kredia për këtë sektor u rrit me 23%, shifër kjo 50% më e lartë se norma totale e kredisë për biznesin në këtë periudhë.
Turizmi është një nga sektorët kryesorë që vijon të kontribuojë në rritjen ekonomike. Sipas INSTAT, në fund të muajit nëntor 2024 Shqipërinë e vizituan 11 milionë vizitorë të huaj, ose 16% më shumë vizitorë se vitin e kaluar.
/r.e/a.f/