Kredia, zbuten standardet për kompanitë e mëdha
Standardet e kreditimit në përgjithësi në tremujorin e parë të vitit 2010 janë lehtësuar pak për kreditë dhënë bizneseve dhe janë shtrënguar më tej për individët, bëhet e ditur nga një vëzhgim i kryer nga INSTAT me porosi nga Banka e Shqipërisë. Ecuria e standardeve për bizneset përputhet me pritjet e bankave të shprehura në tremujorin e kaluar për tremujorin e parë të vitit 2010, ndërsa ndryshimet në standardet e individëve janë në drejtim të kundërt me pritjet e një tremujori më parë.
Standardet e aplikuara për kreditë dhënë bizneseve janë lehtësuar në përgjithësi vetëm për korporatat. Ndërkohë, ato mbeten në kahun shtrëngues për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, shkalla e lehtësimit të standardeve të kredisë ka qenë më e lartë për kredinë për investime sesa për kredinë për kapital qarkullues. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar kahun e ndryshimit të standardeve për kredinë dhënë bizneseve janë problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata makroekonomike dhe situata në kreditë me probleme. Këta faktorë janë renditur në një shkallë më të lartë nga bankat krahasuar si me faktorët e tjerë, ashtu edhe me nivelin e vlerësimit të tyre gjatë tremujorit të kaluar. Faktorët që kanë ndikuar në kahun shtrëngues kredinë për individë janë gjendja financiare e individëve, situata në kreditë me probleme dhe likuiditeti i vetë bankës. I vetmi faktor që ka kontribuar në lehtësimin e standardeve të kredidhënies, si për bizneset ashtu edhe për individët, është “vendimet e Bankës së Shqipërisë”.
Bazuar në opinionet e mbledhura të ekspertëve të bankave, kërkesa e bizneseve dhe e individëve ka shënuar një rritje të lehtë në tremujorin e parë të vitit 2010. Pritjet e bankave sinjalizojnë se lehtësimi aktual i standardeve të miratimit të kredive të reja do të jetë i përkohshëm dhe pritet të mos vazhdojë në tremujorin e dytë të vitit 2010, megjithëse kërkesa e ardhshme pritet të rritet, si për bizneset ashtu edhe për individët. Kërkesa neto e bizneseve për të marrë kredi është rritur disi në tremujorin e parë të vitit 2010, bazuar në opinionin e ekspertëve të bankave.
Faktori kryesor që ka përcaktuar përmirësimin e kërkesës së bizneseve për kredi në tremujorin e parë të këtij viti është nevoja për financimin e kapitalit qarkullues.
Prirja drejt lehtësimit të standardeve, e regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2010, nuk pritet të vijojë në tremujorin e ardhshëm. Për tremujorin e dytë të vitit 2010 ekspertët e bankave presin shtrëngim të standardeve të kredisë.
#