Denoncimi i Olldashit për Poçin, te Task Forca
Njësia hetimore Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka filluar verifikimet e kallëzimit të ministrit të Transporteve Sokol Olldashi ndaj ish-paraardhësit të tij Spartak Poçi, në lidhje me kontratën për ndërtimin e trenit elektrik nga amerikanët e “General Electric”. Hetues të çështjes kanë marrë në dorë kallëzimin e Olldashit dhe menjëherë kanë filluar të përkthejnë materialet në gjuhën angleze. Bëhet fjalë për kontratat e “Gjeneral Electric”, ndërsa do merren në shqyrtim edhe dokumentet shqiptare. Hetues të çështjes kanë filluar krahasimet me ligjet shqiptare të këtyre kontratave për të parë nëse ka elemente të veprës penale. Kallëzimi në prokurori është bërë nga ministri aktual i Transporteve, Sokol Olldashi, pasi u njoh me vendimin përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Romë, që ndëshkon me gjobë qeverinë shqiptare, me vlerë 20 milionë dollarë.
“Ministria e Transporteve ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në dijeni të Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Ina Rama, kallëzimin penal ndaj ish-ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, e kryer gjatë komunikimit të ministrit Poçi me subjektin “General Electric”, për shkak se ka dyshime të arsyeshme në kryerjen e një krimi, i cili kushton të paktën 12 milionë euro, shtetit shqiptar, faturë, e cila rritet çdo ditë për shkak të interesave”, thuhet në kallëzim.
Sipas MPPT-së, komunikimi që mban firmën e Poçit dhe mosparaqitja e tij personalisht në gjykimin e arbitrazhit, sipas rregullave procedurale për të dhënë sqarimet e nevojshme në lidhje me këtë komunikim të paraqitur nga “General Electric”, kanë qenë të rëndësishme për vendimin.
Ndërkohë, në një intervistë për gazetën “Shqip”, ish-ministri i Transporteve, Poçi, tha se të gjitha procedurat për lidhjen e kontratës janë kryer sipas ligjit dhe se finalizimi i projektit, pra ndërtimi i linjës, kishte mbetur tashmë në duart e qeverisë së re të dalë pas zgjedhjeve të qershorit 2005. Ish-ministri tha se Berisha e kishte pranuar kontratën, madje kishte kërkuar zgjerim të projektit, por më pas ndërroi mendje, duke e prishur në mënyrë të njëanshme, pa e kaluar më parë në Kuvend. Kjo solli hapjen e gjyqit me ‘General Electric’, që më pas u humb nga pala shqiptare, e cila duhet të paguajë një dëmshpërblim prej 20 milionë dollarësh.