E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredite ekspertet Bankat jo korrekte me klientet

Shumë prej kontratave të kredive janë të njëanshme duke favorizuar bankat. Këtë dukuri mund ta vësh re nëse flet me kredimarrësit, të cilët thonë se nuk kanë pasur mundësi për negocim të plotë të kushteve për huanë e marrë. Duket se nevoja për likuiditet i detyron huamarrësit që t`i përshtaten kushteve të bankave.

"Të diskutosh janë apo nuk janë të njëanshme duhet të futemi në detajet e kontratës.  Ajo që është fakt është kjo që nuk njohim individ apo kompani që kur ka marrë kredi në bankë ka negociuar për kontratën. Ka raste kur është negociuar interesi, por jo kontrata"-thotë Adriatik Kotorri, pedagog i Financës në Fakultetin e Ekonomisë.

Për Albanian Screen, ekspertët e Financës thonë se ka mundësi për të ndërhyrë nga institucionet mbikëqyrëse.

"Tani që ka kredi të këqija, shfaqen disa elementë që dukshëm favorizojnë bankat dhe nuk favorizojnë bizneset apo individët që janë kredituar nëpërmjet bankave. Mendoj se është koha që duhet parë pak më drejt, të paktën nga ana e Bankës së Shqipërisë që të stimulohet hartimi i kontratave të drejta. Një kontratë më e drejtë, edhe në interes të bankës edhe në interes të klientit do të ishte më mirë për ekonominë"-thotë Kotorri.

Muajt e fundit janë shtuar shumë rastet kur bankat, për shkak të problemeve të klientëve kanë mbyllur kontratat duke kryer sekuestrimet e garancive pasurore. Muaji prill ka njohur dhe nivelin më të lartë të kredive të këqija. 15.2 për qind është shifra e raportuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›