E Diel, 1 Nëntor 2026

Krejt politika shqiptare i gëzohet lirimit të Haradinajt

Politikanët dhe partitë politike shqiptare kanë përshëndetur lirimin e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtareve te tij.

Thaçi: Fitore e shumëpritur

Kryeministri Hashim Thaçi dhe Qeveria e Kosovës e kanë pritur me gëzim vendimin e Tribunalit të Hagës për lirimin nga të gjitha pikat e akuzave që ishin ngritur kundër ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.

Me këtë rast, Kryeministri Thaçi uron të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë fitore të shumëpritur dhe fton ata që të festojnë këtë moment me dinjitet dhe krenari.

Kryeministri Thaçi rithekson se lufta jonë për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë.

"Ky vendim është dëshmia më e fortë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime për të cilat jemi akuzuar padrejtësisht. Ky proces i stërzgjatur i Tribunalit të Hagës kundër Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj ka qenë shumë i dhimbshëm për t’u përballuar jo vetëm për ata dhe për familjet e tyre, por ka qenë shumë i vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetin tonë. Fatmirësisht, durimi ynë dhe besimi që kishim në drejtësinë ndërkombëtare sot u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar", ka thënë Thaçi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës uron ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lah Ibrahimaj për lirimin e tyre dhe kthimin në familjet e tyre, kthimin në vendin e tyre për të cilin kanë dhënë aq shumë.

Kryeministri Thaçi rithekson se lufta jonë për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë. Kjo u vërtetua nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës sot, dhe do të dëshmohet përsëri me rastin e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Berisha: Kurrë s’kam dyshuar tek pafajësia e tij

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që ka shpallur të pafajshëm Ramush Haradinajn dhe luftëtarët e tjerë të UÇK-së.

Gjatë një konference për shtyp të mbajtur ditën e enjte, kreu i ekzekutivit shqiptar ka theksuar se, asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim pafajësinë e ish-kryeministrit të Kosovës.

“Është lajmi më i gëzueshëm që marrin shqiptarët në këtë ditë. Pafajësia e Haradnijat është një triumf i drejtësisë ndërkombëtare. Nuk kam patur asnjë dyshim tek drejtësia dhe pafajësia e zotit Haradinaj”, ka thënë Berisha.

Rama: Lajmi më i mirë pas 100-vjetorit

Edhe kryetari i PS, Edi Rama ka përshëndetur të enjten vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që shfajësoi nga të gjitha akuzat ish-luftëtarin e UÇK-së, Ramush Haradinaj.

Në fjalën e tij nga varrezat e dëshmorëve, Rama tha se ky është një tjetër lajm i mirë që vjen për shqiptarët në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.

“Pas 100-vjetorit të Pavarësisë erdhi edhe një lajm i mirë për Haradinaj, i cili mori pafajësinë më të madhe për ish-luftëtarët e UÇK-së. Ky është një moment i jashtëzakonshëm, pasi që nga sot hijet e hedhura nga keqdashësit mbi UÇK-në dhe heroizmin e luftëtarëve të saj janë fashitur një herë e përgjithmonë”, ka deklaruar Rama.

Jahjaga mirëpret vendimin e Tribunalit

Presidentja e Republikë së Kosovës, Atifete Jahjaga ka mirëpritur vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime lufte në ish - Jugosllavi që të shpallë të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinajn.

Në një komunikatë për shtyp, presidentja e vendit e ka cilësuar vendimin e sotëm për Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn, si "edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë mveshur".

Presidentja e Kosovës ka përgëzuar gjithashtu qytetarët e Kosovës "për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës në përpjekje për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe durimin e tyre gjatë kësaj periudhe".

LDK-ja përshëndet lirimin e Haradinajt

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për lirimin nga të gjitha akuzat të Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij.

"Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se vendimi i sotëm edhe një herë e dëshmon se përpjekjet dhe lufta e shqiptarëve të Kosovës për liri ka qenë e drejtë. Lidhja Demokratike e Kosovës gjithnjë ka besuar në vlerat e përpjekjeve shqiptare dhe të luftës çlirimtare. Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë rast, përgëzon z. Haradinaj dhe Aleancën për Ardhmerinë e Kosovës, si dhe përshëndet kthimin e tij në Kosovë dhe në familjen e tij", thuhet ne komunikaten e LDK'së.

AKR përshëndet lirimin e Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij

Aleanca Kosova e Re dhe presidenti i saj, Behgjet Pacolli, përshëndesin dhe urojnë lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij Brahimaj dhe Balaj.

“Aleanca Kosova e Re dhe Presidenti i saj z. Behgjet Pacolli, përshëndesin dhe urojnë lirimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij z.Brahimaj dhe z.Balaj. Aleanca Kosova e Re, përshëndet faktin se edhe një here u rikonfirmuan vlerat e UÇK-së dhe u konfirmua se lufta e Kosovës, ishte luftë për liri dhe barazi për të gjithë qytetarët e saj. Drejtësia ndërkombëtare e tha fjalën e vet edhe një herë duke mbështetur aspiratat e popullit tonë për liri. Urojmë familjen Haradinaj, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për kthimin triumfant të djalit, burrit dhe liderit të saj. Z. Haradinaj ka qenë dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e zhvillimeve në Kosovë dhe AKR përshëndet kthimin e tij në kohën kur Kosova po kalon në periudha të rëndësishme të saj”, thuhet në urimin e AKR'së.

Ali Ahmeti: Pa lirimin tënd festa e shqiptarëve jo e plotë

Menjëherë pas lajmit te lirimit te Ramush Haradinajt dhe te tjerëve, ka reaguar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka uruar tre ish pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre për këtë ditë të gëzuar.

"E nderuara familje Haradinaj, i nderuari Baca Hilmi, i nderuari Ramush, i nderuari Lahi Brahimaj, Idriz Balaj. Kam nderin e veçantë që në emër të të gjithë neve tek Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe në emrin tim personal, si mik i familjëve tuaja, të shpreh uratat më të sinqerta për lirimin përfundimtar të Ramush Haradinajt dhe të Lahi Brahimajt. 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe të ditës së flamurit kombëtar si dhe liria dhe pavarësia e Kosovës nuk mund të ishin të plota pa lirinë e çlirimtareve dhe pa ruajtjen dhe respektin maksimal ndaj vlerave të ushtrive tona çlirimtare të fundshekullit të kaluar. Ne luftuam bashkë për të arritur pavarësinë e Kosovës dhe sot, në këtë 100 vjetor të bekuar, kjo pavarësi po merr formën e plotë, me ngadhënjimin e luftës sonë çlirimtare. Lufta jonë e drejtë nuk kishte se si mos të ngadhënjejë edhe para ligjit ndërkombëtar sepse ne kërkuam lirinë dhe demokracinë në vendin tonë, në tokat tona duke mos cenuar të drejtat e të tjerëve. Sot, Kosovës po i vendoset edhe një themel i fuqishëm i shtetësisë duke ngadhënjyer në një proces të gjatë dhe të vështirë të drejtësisë ndërkombëtare. Këto fitore duhet të na shërbejnë si nxitje për ta bërë Kosovën dhe rajonin më të mirë dhe unë jam i bindur se bashkarisht do ta shpiejmë rajonin përpara, pa kufij dhe plotësisht të integruar në NATO dhe BE", thuhet në urimin e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›