E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramushi flet si Kryeministër

(E plotësuar) Ramush Haradinaj u është drejtuar kosovarëve përmes një deklarate të avokatit të tij, Ben Emmerson.

Aty ai falënderon popullin e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare që kanë qëndruar me të gjatë këtij procesi.

Ndër të tjera, avokati i Haradinajt duke përcjell porosinë e klientit të tij, ka thënë se pas kthimit në Kosovë, me pajtimin e popullit, kreu i AAK’së do të marrë pozitën e liderit politik të vendit.

“Ai më ka lutur të tregoj se do të kthehet këtë mbrëmje në Kosovë dhe me pajtimin e njerëzve, shumë shpejt do ta marrë pozitën që i takon si lider politik i vendit, duke udhëhequr Qeverinë që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht gjuhës që ata flasin dhe pavarësisht se prej nga vijnë”, thuhet në deklaratën e avokatit Ben Emmerson.

“Ai (Haradinaj) më ka lutur të them se si lider i Kosovës së lirë do ta luftojë korrupsionin kudo që gjendet dhe se më të do të merret fuqishëm”, shtoi Emmerson.

Ramushi kthehet në Kosovë në ora 18:00, pritet me protokoll shtetëror

Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj do te priten me protokoll shtetëror në Prishtinë, rreth orës 18:00.

Këtë e ka konfirmuar për Express zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Për kthimin e Haradinajt në Kosovë do të përkujdeset Protokolli shtetëror nën patronatin e Kryeministrit Hahim Thaçi.

Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj janë të pafajshëm

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka shpallur te pafajshëm Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm te tyre.

Vendimi i rigjykimit të pjesshëm që zhvillohej me akuzën për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës” u lexua nga gjykatësi i rastit, Bakone Justice Moloto.

“Ramush Haradinaj, gjykata ju shpallë të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, gjykata thotë që do të liroheni posa të kryhen të gjitha formalitetet procedurale. Lah Brahimaj liroheni për të gjitha pikat e akuzës të ngritura ndaj jush. Idriz Bala liroheni nga të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.

Fillon gjykimi i Haradinajt

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka filluar seancën përmbledhëse ku pritet të shpall vendimin përfundimtar në rastin kundër ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Të tre ata janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, më 1998”.

Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj janë liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj, është dënuar me gjashtë vjet heqje lirie për “trajtim mizor dhe torturim” të të burgosurve të UÇK-së.

Rigjykimi, që ka nisur më shumë se dy vjet më parë, ka ardhur si kërkesë e prokurorisë së Tribunalit të Hagës për t’i dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rëndësishëm”.

Sot, aktgjykimi

Beteja shtatëvjeçare e Ramush Haradinajt me akuzat për krime lufte, përfundon sot. Ai do të paraqitet në orën 9:00 në sallën e Tribunalit të Hagës për të dëgjuar aktgjykimin përfundimtar. Në Kosovë presin lirimin, ndërsa në Serbi dënimin e tij.

Ramush Haradinaj do të përmbyllë të enjten betejën shtatëvjeçare me akuzat për krime lufte, të ngritura nga Tribunali i Hagës. Vendimi për të do të publikohet në orën nëntë të mëngjesit.

Partia e Haradinajt ka përgatitur nga një projektor në qendër të Prishtinës, Pejës e Deçanit për të përcjellë drejtpërdrejt kumtimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi për ish-Komandantin e UÇK’së.

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për herë të parë ishte akuzuar nga Haga, në vitin 2005, kur kishte mbushur njëqind ditë në krye të Qeverisë.

Ai ishte shpallur i pafajshëm më 3 prill të vitit 2008, por pas ankesës së Prokurorisë së Hagës, ishte vendosur për rigjykim të pjesshëm të tij. Vendimi i dytë kundër Haradinajt ishte marrë në korrik të vitit 2010.

Sipas avokatëve të Haradinajt, faktet e paraqitura gjatë procesit të dytë nga Prokuroria nuk kanë dëshmuar asnjë prej akuzave që e kanë rënduar Liderin e AAK’së.

Në prag të vendimit për Haradinajn përsëri kanë folur serbët.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksander Vucic ka deklaruar se po frikësohet se Haga do ta lirojë Ramush Haradinajn.

“Frikohem që aktgjykimi do të jetë lirues dhe se ky do të jetë edhe një poshtërim për ne dhe do të shkaktonte probleme shtesë të gjithë atyre që janë të përgjegjshëm dhe të mirë kuptueshëm në skenën politike. Ky është problem për ata që shikojnë kah e ardhmja, por jo për ata që dëshirojnë ta rindezin zjarrin”, ka thënë Vucic.

Zyrtarët serbë kanë folur edhe më herët për mundësinë që Haradinaj të lirohet.

Megjithëkëtë, në Kosovë deklaratat e zyrtarëve serbë janë komentuar si tendencë për të ndikuar në vendimet e Hagës.

“Tendenca e Serbisë, që të ketë vendim politik për dënimin e z. Haradinaj, paraqet një shkelje të rëndë të besimit që ekziston në botë për drejtësinë ndërkombëtare. Deklarata të tilla të zyrtarëve serbë janë skandaloze. Ne si AAK, pavarësisht asaj që vazhdimisht kemi besuar në pafajësinë e z. Haradinaj, gjithmonë kemi besuar se fajësia apo pafajësia duhet të dëshmohet në sallat e Tribunalit të Hagës dhe kemi besuar në proces fer dhe korrekt të Gjykatës Ndërkombëtare”, kishte thënë Avni Arifi, zyrtar i AAK’së.

Ramush Haradinaj ka qenë Kryeministër i Kosovës në koalicionin LDK-AAK, i lidhur në vitin 2004, por pas njëqind ditësh kishte dhënë dorëheqje për t’u përballur me akuzat e Hagës.

Haradinaj përballet me akuza për krime lufte prej marsit të vitit 2005, ndërsa partinë e tij vazhdojnë ta udhëheqin Nënkryetarët Blerim Shala, Ardian Gjini e Ahmet Isufi.

Zyrtarët e AAK’së në vazhdimësi kanë thënë se Haradinaj është i pafajshëm dhe besojnë se edhe vendimi që do të merret në fund të këtij muaji do të jetë në favor të ish-Kryeministrit.

Kohët e fundit, zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë afruar me PDK’në, duke përkrahur vendimet e Qeverisë. Madje, udhëheqësi aktual i Aleancës, Nënkryetari Blerim Shala është emëruar koordinator politik i dialogut me Serbinë.

Me lirimin eventual të Haradinajt, do të sqarohet edhe pozicioni i AAK’së në raport me PDK’në dhe Qeverinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›