“Krejt radarët e shtetit i fik për ty!”

Detaje të reja kanë dalë nga komunikimet mes ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasit, i cili ndodhej në kërkim prej disa muajsh. Sipas të dhënave të bëra publike nga dosja hetimore, dyshohet se Agasi ka përdorur informacionet që merrte nga Hyseni për t’iu shmangur kapjes nga policia.
Në një prej qindra mesazheve që dyshohet se janë shkëmbyer mes tyre, Hyseni i kërkon Agasit të mos përdorë një numër tjetër telefoni, pasi dyshohej se ai ishte nën përgjim.
“Shpirt, mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Flej rehat. Të du!”, thuhet në mesazhin e publikuar.
Në vijim, Agasi e pyet nëse ekziston ndonjë rrezik për persona të afërt me të, ndërsa përgjigjja që, sipas dosjes, i atribuohet Hysenit është:
“Krej radarët e shtetit i fik për ty!”
Sponsorizuar
Sipas hetuesve, këto komunikime janë pjesë e materialeve që po verifikohen në kuadër të hetimit për marrëdhënien mes Hysenit dhe Agasit, si dhe për informacionet që dyshohet se janë shkëmbyer mes tyre.
Vlora Hyseni pritet të dalë sot para Gjykatës së Posaçme, ku do të njihet me masën e sigurisë dhe mund të japë shpjegime lidhur me komunikimet e saj me Agasin.
Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit e SPAK rreth një javë më parë, Hyseni kishte deklaruar se Agasi ishte bashkëpunëtor i saj në kuadër të rrjetit të agjentëve të SHISH. Sipas materialeve të publikuara deri tani nga organet e hetimit, SPAK dyshon se marrëdhënia mes tyre ka qenë përtej bashkëpunimit institucional.
Hetimi vijon, ndërsa SPAK po verifikon komunikimet, marrëdhëniet dhe informacionet që dyshohet se janë shkëmbyer mes personave të përfshirë në dosje.a.b