Protesta para Kuvendit, përleshje me policinë që tek ministria e Brendshme

Tensione janë shënuar sërish para Ministrisë së Brendshme dhe Kuvendit, ku qytetarët po zhvillojnë protestën e paralajmëruar gjatë kohës që në Parlament po zhvillohet seanca plenare.
Policia ka zgjeruar perimetrin e sigurisë dhe nuk ka lejuar protestuesit t’i afrohen zonës së rrethuar apo të bllokojnë rrugën. Për shkak të përplasjeve me kufizimet e vendosura nga policia, janë shoqëruar disa protestues.
Mes të shoqëruarve, sipas raportimeve, është edhe aktivisti Dritan Goxhaj, i cili është shoqëruar edhe në protesta të mëparshme.
Protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë dhe Kuvendit, ndërsa ndër sloganet e dëgjuara janë “Parlamenti i krimit”, “Parlament i drogës” dhe “Ku e keni Vlorën?”.
Protesta zhvillohet në një kohë kur në qendër të debatit politik është edhe çështja e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masë sigurie, si dhe hetimet e SPAK lidhur me komunikimet e saj me Ergys Agasin.
Ndërkohë, policia ka vendosur gardhe metalike në disa prej rrugëve që të çojnë drejt Kuvendit, ndërsa prania e forcave të rendit është shtuar në zonën përreth Parlamentit.