E Diel, 1 Nëntor 2026

Kremtimet e 100-vjetorit, një rast shumë i mirë për të mos ndalur rehabilitimin e figurave të historisë kombëtare

25-11-2012 / Nga Eden Babani

Këto ditë të Jubileut të Pavarësisë, shumë aktivitete janë zhvilluar, shtetërore dhe jo shtetërore, sidomos për t’i bërë jehonën që meriton evenimentit të papërsëritshëm të 28 Nëntorit 1912 dhe për t’u dhënë vendin e merituar figurave historike që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt ose tërthorazi në të. Si më domethënëset, çka shprehin pa ekuivokë tendencën që zotëron në këtë frymë festive, do të përmendja prurjen e eshtrave të Mbretit Zog i Parë në Atdhe, ngritjen e përmendoreve të ndryshme në Kryeqytet ose gjetkë, rehabilitimin në rang kombëtar të disa personaliteteve që deri para njëzetedy-tre vjetësh ishte tabu t’i mendoje, pale t’i përmendje, qoftë edhe në rrethe të ngushta miqësore. Është për t’u lavdëruar nisma e zonjës Topalli që ka shpërndarë dhe, ndoshta, do të shpërndajë edhe këto ditë që kanë mbetur përpara Ditës së Flamurit, mirënjohje në emër të Kuvendit, pavarësisht se ndokush e ka bojkotuar nismën, sipas traditës majtiste të bojkotit. Të bojkotosh një ceremoni shtetërore, do të thotë të mos respektosh shtetin. Por fjalën nuk e kisha bash këtu, ndaj nuk është rasti të zgjatem me këtë argument. Fjalën e kisha te rehabilitimet, që në këto përmasa, i ndërpreu rebelimi komunist i 1997-s.
Kështu para një jave u promovua rehabilitimi i plotë i figurës së Abaz Kupit, në Krujë, kështu dje me figurën e Mustafa Krujës. Të dyve këtyre dy burrave, Kruja-kështjellë e Skënderbeut, u lau një borxh që ua kishte prej vitesh, duke emërtuar me emrat e tyre dy sheshet kryesore të qytetit dhe duke u dhënë titullin e nderuar “Qytetar Nderi”. Janë nisma, sipas meje, që promovojnë, në radhë të parë, sensin e sotëm të shqiptarëve për të qenë sa më afër me njëri-tjetrin, si një premisë bashkimit kombëtar.
Në këtë vazhdë ishte edhe dreka festive e së premtes, shtruar nga Instituti i Integrimit i të Përndjekurve Politikë në bashkëpunim me Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë, për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë. Siç ishte e pritshme, ajo u shndërrua në një demonstrim të shkëlqyer dashurie e bashkimi të të gjitha krahinave që përfaqësonin pjesëmarrësit. Ishim të gjithë, të një shtrese. Të gjithë, të ndëshkuar kush më shumë e kush më pak nga diktatura komuniste-enverhoxhiste. Të gjithë, pasardhës të familjeve nacionaliste me emër, shtyllë kurrizore e Kombit tonë.
Vetëm tryeza jonë u bë aty për aty simbol i kujtimeve të bartura nga e kaluara, por edhe i vendosmërisë sonë për demokraci e unitet kombëtar. Jo pak krahina shqiptare mblodhi rreth saj ajo tryezë e zakonshme restoranti. Tetë ishim gjithsej, por falë furisë së diktaturës pesëdhjetëvjeçare që na hodhi tutje e tëhu si gjethet e pemëve në vjeshtë, secili prej nesh pruri atje një copë Veri ose një copë Jug të Atdheut. Secili prej nesh mbarti mbi vete dhe solli në atë tryezë emra të pushkatuarish nga diktatura, të vdekurish në burgjet e saj ose të zhdukurish pa lënë gjurmë. Secili mbante mbi supe vite burgjesh dhe internimesh, të vetat ose të familjes, mbante dëbime të panumërta nga një qytet, në tjetrin; nga një fermë, në tjetrën. Secili solli kujtime pushimesh nga puna ose “demaskimesh” nga ana e organizatave “leva të partisë”, vegla të së mallkuarës luftë e klasave. Ne e mbushëm atë tryezë me atdhetari dhe me nacionalizëm, me devotshmëri demokratike dhe me virtyte kombëtare, por edhe me antikomunizëm dhe me vendosmëri të palëkundur për të mos u kthyer më ajo kohë e mallkuar.
Tryeza jonë e përbashkimit nuk mund të ishte ndryshe, sepse ajo mblodhi Reshat Kripën, vlonjatin nga Kruja me Fredi Babanin, përmetarin nga Devolli, dhe me Mark Dalinë, tiranasin nga Mirdita. Ajo tryezë uli Mark Alinë, kurbinas nga Gjakova, përbri Bektash Osmanit, tiranas nga Kolonja. Bashkoi mirditorët e ngulur për jetë e mot në Rrëshen, Gjergj Markun e Lekë Shtinë, me mua, devolliun, korçarin, gjirokastritin, durrsakun, vlonjatin, kavajasin, tiranasin, brukselasin, quamëni çka të doni, nuk do ta kundërshtoj, përkundrazi, do ta quaj nder, si atribut vetjak, dhuruar nga diktatura.
Bri tryezës sonë, të tjera tryeza mblodhën bashkëvuajtës me prejardhje nga çdo kënd i Atdheut. U mblodhën në atë sallë Shqipëria dhe Kosova, Çamëria dhe troje të tjera etnike shqiptare, në mos fizikisht, shpirtërisht. U mblodhëm përmes vuajtjeve të së kaluarës, përmes këngëve patriotike dhe valleve tona. Na ngrohu në atë sallë, shqiptarizmi i pavdekshëm. Na ngrohu Flamuri ynë Kombëtar, figura e Ismail Qemalit, babai i Pavarësisë, sado që jo më larg se të mbrëmshmen, njerëz pa identitet bazik u përpoqën t’i hidhnin figurës së tij madhore një grusht baltë në një debat televiziv, ashtu siç janë përpjekur ca më parë e në vijim të baltosin figurën e Skënderbeut e të na zhbëjnë 500 vjet histori...
“E quaj fat, por edhe gëzim të pamat, - tha në përshëndetjen e tij të shkurtër zoti Simon Miraka, Drejtor i Institutit, - që sot jemi mbledhur të festojmë së bashku këtë përvjetor të madh, pa iu tutur vëzhgimit të syrit të spiunëve, si njëherë e një kohë kur, edhe dy a tri prej nesh të mblidheshim për të përkujtuar një ditë të shënuar si 28 Nëntori i Flamurit, kushedi sa raporte do të shkruheshin për Degën e Punëve të  Brendshme dhe sa vite dënimesh do të projektoheshin”. “Nuk ka krenari më të madhe për ne dhe për gjithë shtresën tonë, që i rezistuam dhunës komuniste, sesa të shohim me sytë tanë që, në këtë përvjetor të madh të Pavarësisë, po vjen tek ne me këmbë ose kaluar si 100 vjet më parë, Presheva e Bujanoci, Medvegja e Gjilani, Prishtina e Gjakova, Prizreni e Tetova - tha Lekë Shtia, i cili e përjetoi qysh foshnjë internimin në kampin e Tepelenës. – Erëra të tjera po fryjnë për Kombin tonë, shtoi ai. Janë erëra të mbara, erëra të bashkimit gjithëkombëtar, ndonëse armiqtë tanë shekullorë përpiqet t’i pengojë me ndihmën e veglave të tyre, vjetërsira të mbetura prej regjimit komunist”. Reshat Kripa, ish-i dënuar nga diktatura qysh në moshën 17-vjeçare për ndjenjat e tij atdhetare e antikomuniste, solli kujtimet e plot njëzetenjë viteve përpara, kur, më 28 Nëntor 1991, në Vlorën e Pavarësisë, u ngrit Flamuri ynë i çliruar nga ideologjia komuniste që iu ngjit simbolit tonë kombëtar me yllin pesëcepësh, simbol të komunizmit. “Yllin komunist, tha Reshati,  e vendosi Konferenca e Pezës, më 1942, thuajse një vit pasi Flamurit tonë iu hoqën Sëpatat e Liktorit, sipas marrëveshjes së Mustafa Krujës me pushtuesit fashistë, për të pranuar postin kalimtar të Kryeministrit, në një periudhë kalimtare pushtimi. Yllin e komunizmit prej Flamurit tonë Kombëtar, e shqyen dhe e flakën tej si leckë pa vlerë, pas afro 50 vjetësh, bijtë e familjeve nacionaliste: vlonjati Xhemal Mustafaraj dhe dibrani Fadil Ndreu, lindur në internim në rrethin e Vlorës. Nderi për ta ngritur Flamurin Kombëtar pa simbolet e komunizmit i takoi Altin Kokoshit, pasardhës i familjes së dëgjuar nacionaliste të Kokoshajve. Prej asaj dite, mbi Vlorë dhe mbi të gjitha trojet tona etnike, Flamuri ynë do të valëvitet ashtu siç na e lanë Skënderbeu dhe Ismail Qemali”, përfundoi kujtimet e tij kryetar i Degës së Tiranë i Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë Demokratë, Reshat Kripa.
Emocionet që zunë fill me t’u përshëndetur më së pari dhe me t’i dhënë dorën njëri-tjetrit, arritën kulmin me këngët kushtuar figurave të spikatura të historisë sonë kombëtare, në luftën për liri, pavarësi e demokraci. U këndua gjatë asaj dreke plot emocione të paharruara, për Ismail Qemalin dhe për Dedë Gjon Lulin, për Azem Hajdarin e për Adem Jasharin. Pse ta fsheh? U këndua edhe për ditët e sotme të proceseve demokratike, bash edhe për Kryeministrin Berisha, si flamurmbajtës i rrugës plot zikzake drejt familjes së popujve të Europës Perëndimore, çka tregon se ish të përndjekurit politikë nga regjimi komunist do të jenë përkrah Partisë Demokratike, siç ishin në ditët e përmbysjes së regjimit komunist.
Melodia dhe vargjet e këngës: “xhamadani vija-vija / është Kosova, është Shqipëria...” që vazhduan gjatë në fund të drekës, morën peshën e simbolikës së bashkimit kombëtar, në këto ditë feste për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›