Kremtojnë bashkë në Vlorë?

Kryeministri Berisha ka përgëzuar kryetarin e opozitës, Edi Rama, për shkak të pranisë së deklaruar të tij në nderimet që personalitetet publike shqiptare do t’i bëjnë në Vlorë, paraditen e 28 nëntorit.
Sipas Berishës, Vlora do të ketë vëmendjen e duhur gjatë kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë, por as Tirana s’duhet përjashtuar, ngase ka detyrime madhore si kryeqytet.
“Nëse ndokujt i festohet më mirë duke përjashtuar kryeqytetin e vendit nga festimi i 100-vjetorit, unë i them se ka mbetur, ka rrezik, të paktën 200 vjet mbrapa. Tani është kohë tjetër, ndaj dhe e përgëzoj z. Rama që do të jetë në Vlorë më 28 nëntor. Do t’i nderojmë së bashku Ismail Qemalin dhe të gjithë ata burra që firmosën deklaratën e pavarësisë, do nderojmë të gjithë qytetarët shqiptarë, do të kthehemi, e do të vazhdojmë festën në Tiranë, ku do bëhen të gjitha nderimet”, theksoi kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë së Shqipërisë.